
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e quajti “palaço” kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, të propozuar nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, VV-GUXO-Alternativa; “në përputhje të plotë me mënyrën se si VV e sheh Kuvendin, dhe më tej, vetë demokracinë: të nënshtruar deri në përdhosje nga teket e Liderit Suprem.”
Molliqaj tha se politika nuk duhet parë si teori loje, por si angazhim mbi baza të vlerave dhe bindjeve, ndërsa akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për përqendrim të pushtetit në “figurën e Njëshit”.
“Teoria e lojës ka në qendër interesin vetjak në një situatë ku tjetri shihet si armik. Ky sfond nuk të jep mundësi të shtruar pyetjen se çfarë i duhet vendit. A i duhet vendit një qeverisje thelbësisht tjetër nga ajo që kemi? Kjo është pyetja e munguar, seancat, bllokadat ishin veçse stërkeqje simptomash të kësaj pyetjeje të mbuluar e të shtypur. Dikush jepte kushte pa e menduar që tjetri mund edhe t’i plotësonte; dikush mendonte çfarë tjetri s’paramendonte dot. Linja e demarkimit midis Kuvendit dhe Qeverisë është absurde, po të kesh parasysh mënyrën e përqendrimit të pushtetit në VV. Aty ekziston vetëm figura e Njëshit. Çdo dallim tjetër është iluzion, madje naivitet. VV, në anën tjetër, siç duket nuk besonte që PDK do t’i përgjigjej. Vështirë ta dimë sot nëse ky mosbesim vinte ngaqë ata më së miri e njohin Dimalin, apo sepse tash fillon rrjedhja e afatit kur numërohen ditët për Qeverinë.” – shkroi ai.
Molliqaj konsideroi se zgjedhja e Bashës në krye të Kuvendit i përshtatet logjikës së Vetëvendosjes për ta trajtuar Kuvendin si instrument nënshtrimi ndaj “Liderit Suprem”. Sipas tij, kjo situatë përbën jo vetëm degradim të jetës parlamentare, por edhe dhunë ndaj qytetarëve.
“Kryetari i Kuvendit u zgjodh një palaço sepse Kuvendi po bëhet cirk. Por, kur Kuvendi bëhet cirk, vullneti dhe interesat e njerëzve janë objekti i vërtetë i talljes. Ky nuk është humor, kjo është dhunë. Pra, zotërinjtë u patën qartë në mes tyre, vetëm që në fund të na vinte Dimal Basha. Dimal Basha si Kryetar Kuvendi është në përputhje të plotë me mënyrën se si VV e sheh Kuvendin, dhe më tej, vetë demokracinë: të nënshtruar deri në përdhosje nga teket e Liderit Suprem. Dimal Basha si Kryetar Kuvendi tregon përhumbjen dhe frikën nga hegjemonia e partisë-shtet që ekziston në PDK e LDK.” – shkroi ai më tej.
Ai shtoi se bllokadat aktuale, qoftë për kryetar Kuvendi apo tani për nënkryetarin nga komuniteti serb, janë pasojë e strategjisë së Vetëvendosjes, duke e përdorur Listën Serbe si “gozhdë shantazhi” ndaj PDK-së e LDK-së.
“Në anën tjetër, nga bllokada për kryetarin, tash bllokada ka si gozhdë nënkryetarin e komunitetit serb. Në të dyja rastet bllokues është Lëvizja Vetëvendosje, kurse të bllokuar në bllokadën e saj mbeten PDK e LDK. Kësaj here shantazhi është Lista Serbe, ndërsa të intimiduar brenda kësaj hegjemonie mbeten si pengje PDK e LDK.
Po ta kishte seriozisht, sidomos po të kishte guxim, Qeveria përmes provave nga organet e sigurisë do të mund ta shpallte atë të jashtëligjshme. Dihet mirëfilli se kështu ka bërë në dy raste të tjera. Por kjo nuk është çështja. Çështja është se po kryen punë frika nga shantazhi i akuzës që VV e sjell përmes Listës Serbe.”