
Deputetët do të mblidhen sërish sot, për të 60’ën herë me radhë, në përpjekje për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit. Pas gati katër muaj bllokadë për çështjen e Kryeparlamentarit, tani procesi ka ngecur tek zgjedhje e nënkryetarit nga komuniteti serb. Për Nenad Rashiq, sot është shansa e fundit që të zgjidhet si nënkryetar, meqë është hera e tretë që do të propozohet, shkruan Reporteri.
Përpjekjet për ta përfunduar hapin e fundit të konstituimit të Kuvendit, do të vazhdojnë sërish sot. Seanca është caktuar me fillim nga ora 11:00.
Zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit pritet të vazhdojë edhe sot me short, sikurse në dy seancat paraprake.
Sot është edhe mundësia e fundit për Nenad Rashiq, i cili e ka përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, por jo edhe të partive të tjera.
Në dy seancat e fundit, kur emri i tij është hedhur në votim, Rashiq s’ka marrë votat e nevojshme. Nëse edhe sot nuk i merr 61 vota, ai eliminohet nga gara.
Rashiq ka folur mbrëmë lidhur me kandidimin e tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ai ka konfirmuar se para kandidimit ka biseduar me kryeministrin në detyrë dhe njëherësh kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Rashiq tha se kandidimi i tij nuk përbën shkelje të rregullave apo procedurave.
“Normalisht që kemi biseduar sa i përket kandidimit tim potencial, por kjo ka ndodhur diku, mos gabofsha, në mars pas zgjedhjeve. Kemi debatuar dhe unë, në një moment kur ka dalë kjo temë, kam thënë pse jo, sepse me të vërtetë dua ta prezantoj një fytyrë tjetër të përfaqësimit të serbëve në institucione, jo sikur kemi pasur rastin deri më tani,” tha Rashiq.
Në seancën e kaluar, në sallë ishin të pranishëm 107 deputetë. Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë në votim.
Shorti i ra së pari Branislav Nikoliqit. Ai nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit.
Pastaj i ra shorti Zlatan Elekut, i cili dështoi tri herë të marrë votat e nevojshme. Stefan Kovaqeviq po ashtu dështoi që në tri votime të marrë shumicën e mjaftueshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit.
Në tri votimet dështoi të zgjidhet edhe Branislav Nikoliq.