Doarsa Kica-Xhelili: Kushtetuta shpalli Kosovën shtet të pavarur, VV-ja e shkel për interesa politike

22:26 | 30 Gusht 2025
Doarsa Kica-Xhelili: Kushtetuta shpalli Kosovën shtet të pavarur, VV-ja e shkel për interesa politike

Deputetja e Lidhjes Demokratike, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve dhe veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetit Albin Kurti, duke i akuzuar për mosrespektim të Kushtetutës së Kosovës.

Në një reagim në Facebook, Kica-Xhelili theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka shpallur Kosovën si shtet të pavarur dhe se ajo nuk do ta shkelte as për një serb të propozuar nga Kurti, por as për “shqiptarin më të ndershëm”, pasi sipas saj një shqiptar i tillë nuk do të kërkonte kurrë një kompromis të tillë.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpalli Kosovën SHTET TË PAVARUR.

Jo vetëm që nuk do ta shkelja për një serb të zgjedhur të Kurtit, por nuk do ta shkelja as për shqiptarin më të ndershëm mbi këtë vend – ndonëse një shqiptar i tillë s’do ta kërkonte kurrë këtë “kompromis”.

E VV-ja e Kurtit duhet t’u përgjigjet qytetarëve të Kosovës pse e urren patologjikisht këtë Kushtetutë dhe Republikën bashkë me të.

Pse e shkeli mbi 10 herë në qeverisje; pse e shkeli mbi 50 herë me insistimin për komision të fshehtë; pse po e shkel sot për një serb që më shumë e pa të arsyeshme t’a mbronte Kushtetutën e Serbisë teksa e shkel të Kosovës; dhe pse po insiston ta shkelë prapë duke u mbledhur për votim të qeverisë pa konstituim – vetëm për t’a bllokuar shtetin.” – shkroi Kica-Xhelili.

Kica-Xhelili kritikoi ashpër arsyetimin e VV-së se veprimet e saj bëhen për ta dobësuar Listën Serbe. Sipas saj, e vetmja mënyrë për ta dobësuar atë është respektimi i shtetit dhe funksionimi i plotë i institucioneve.

“Veçse, gënjeshtrat e llojit “për ta hequr Listën Serbe nga kryesia” mos të na shesin, sepse e vetmja forcë që dobëson ata është respektimi i shtetit që ata nuk e njohin, dhe zhbllokimi i gjithë Republikës për një pozitë edhe ashtu pa ndonjë funksion madhor.

Duke e trajtuar Kushtetutën si paçavër nuk e dobëson Serbinë, por Kosovën.

Sidoqoftë, meqë deklaruan se duan të votojnë qeverinë pa konstituim të plotë të Kuvendit, jam kurioze t’i shoh se si mblidhen 61 deputetë – meqë edhe ashtu na thonin se i kanë numrat.

E pastaj ta shohim qeverinë e cilit shtet po e votojnë dhe me cilën Kushtetutë, meqë e Republikës së Kosovës nuk po u pëlqen.” – shtoi ajo.

Komento: