​Von der Leyen: Na nevojitet një “mur dronësh” kundër Rusisë

16:26 | 10 Shtator 2025
​Von der Leyen: Na nevojitet një “mur dronësh” kundër Rusisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Bashkimit Evropian të ndihmojë vendet në vijën e parë të monitorojnë dhe mbrojnë kufijtë e tyre kundër agresionit të mundshëm rus. Duke vepruar kështu, ajo mbështeti një kërkesë të hershme nga Polonia dhe shtetet baltike, shkruan Politico.

Në fjalimin e saj për gjendjen e BE-së të mbajtur këtë mëngjes, von der Leyen theksoi rolin kyç të anëtarëve lindorë, transmeton KosovaPress.

“Nuk ka dyshim: krahu lindor i Evropës e mban të gjithë Evropën të sigurt. Nga Deti Baltik në Detin e Zi. Kjo është arsyeja pse ne duhet të investojmë në mbështetjen e saj përmes monitorimit të krahut lindor”, u tha ajo përfaqësuesve evropianë.

Ajo shtoi se kjo nënkupton forcimin e aftësive strategjike të pavarura të Evropës.

“Ne duhet të investojmë në mbikëqyrjen e hapësirës në kohë reale në mënyrë që asnjë lëvizje force të mos kalojë pa u vënë re. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje thirrjes së miqve tanë baltikë dhe të ndërtojmë një ‘mur dronësh’”, tha von der Leyen.

Komentet e saj vijnë vetëm disa orë pasi Polonia u detyrua të ngrinte avionë luftarakë për të kapur dronët rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore. Një incident i ngjashëm ndodhi në qershor, kur Rumania dërgoi avionët e saj për shkak të dronëve rusë pranë kufirit.

Aleatët perëndimorë e interpretojnë incidentin mbi Poloninë si një përpjekje të presidentit rus Vladimir Putin për të testuar mbrojtjen e NATO-s.

Lituania është një nga mbështetëset kryesore të idesë së një “muri me dronë”, i cili do të siguronte mbikëqyrje të vazhdueshme të kufijve nga avionë pa pilot.

Komento: