Vdes aleati i Trump, pasi u qëllua me armë

23:15 | 10 Shtator 2025

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se aleati i tij, Charlie Kirk, ka vdekur pas një sulmi me armë gjatë një ngjarjeje në Utah, raporton CNN.

Ai i shprehu ngushëllime familjes së Kirk, teksa tha se ai ishte i admiruar nga të gjithë.

“Charlie Kirk, i madhi dhe legjendari ka vdekur,” shkroi Trump në Truth Social.

“Ai ishte i dashur dhe i admiruar nga TË GJITHË, veçanërisht nga unë, dhe tani, ai nuk është më me ne. Ngushëllimet e mia shkojnë për gruan e tij të bukur Erika dhe familjen. Charlie, të duam!”, ka shkruar Trump.

Në pamje, Kirk shfaqet duke rregulluar mikrofonin teksa qëndron i ulur në një tendë të bardhë dhe prapa shihen sloganet “Rikthimi amerikan” dhe “Më dëshmo të kundërtën”. Më pas dëgjohet një e shtënë e vetme me armë zjarri dhe Kirk shihet duke vendosur dorën e djathtë në plagë, teksa nga pamjet mund të shihet se ai ka gjakderdhje në pjesën e majtë të qafës.

Charlie Kirk dhe organizata e tij politike, Turning Point USA, ishin thelbësore për fitoren e Presidentit Donald Trump në vitin 2024, dhe Trump e ka vlerësuar Kirk-un për aktivizimin dhe mobilizimin e votës së të rinjve.

Kirk ishte 31-vjeçar, teksa ka lënë pas vetes gruan dhe dy fëmijët.

Komento: