Komuna e Lipjanit sqaron procedurat për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale

16:16 | 01 Tetor 2025

Komuna e Lipjanit ka dalë me një sqarim zyrtar lidhur me kontratën për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale në qytetin e Lipjanit, pas disa reagimeve publike dhe ankesave të operatorëve ekonomikë.

Në njoftimin e Drejtorisë për Prokurim Publik thuhet se procedura është zhvilluar përmes E-Prokurimit, si procedurë e hapur, në pajtim të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës dhe aktet nënligjore përkatëse.

Me këtë kontratë është shpërblyer grupi i operatorëve ekonomik HARST Group SH.P.K. dhe CONSTRUMAX SH.P.K. nga Suhareka, të cilët kanë ofruar çmimin më të lirë dhe të përgjegjshëm.

Një nga operatorët tjerë ka paraqitur ankesë pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), por pas shqyrtimit të rastit, Paneli Shqyrtues ka lënë në fuqi vendimin e Komunës së Lipjanit, duke konfirmuar ligjshmërinë e procedurës. Pas kësaj, është lidhur kontrata për ndërtimin e objektit.

Komuna thekson se të gjitha dokumentet janë publike dhe të qasshme në platformën e E-Prokurimit dhe në faqen zyrtare të komunës, ndërsa proceset monitorohen nga KRPP, OSHP, institucionet relevante dhe OJQ të ndryshme.

“Zyra e Prokurimit nuk do të dalë me demantime të tjera, por siguron qytetarët se të gjitha procedurat janë publike dhe transparente. Ne do të vazhdojmë të punojmë në përputhje me ligjin, pavarësisht deklarimeve për konsum elektoral”, thuhet në reagim.

Në shtojcë të njoftimit, është publikuar edhe procesverbali i hapjes së ofertave për këtë aktivitet të prokurimit. /ORAinfo/

Sqarimi i plotë:

Autoriteti Kontraktues – Komuna e Lipjanit ka publikuar Njoftimin për Kontratë në E-Prokurim, platformë apo sistem zyrtar i Prokurimit ku Autoritet Kontraktuese kanë obligim të procedojnë aktivitetet e tyre të prokurimit, procedura në fjalë është publikuar Procedurë e Hapur.

AK Komuna e Lipjanit ka publikuar aktivitetin e prokurimit me titullin: Ndërtimi i qendrës Multifunksionale në qytetin e Lipjanit” me numër të prokurimit 613-24-8840-5-1-1, sipas nenit 45 të RRPP-së, Procedurë e Hapur.

Procesi i vlerësimit është bazuar në dispozita ligjore përkatësisht sipas Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës nr. 04/L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, dhe Rregullores, nr.001/2022 për prokurim publik.

Grup i Operatorëve Ekonomik HARST Group SH.P.K.; CONSTRUMAX SH.P.K. Suharekë- Kosovës është i shpërblyer me kontratë.
GEO i cili është shpërblyer me kontratë nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Lipjanit ka qenë OE i cili ka ofruar ofertën me çmimin më të lire i përgjegjshëm.

Në të njëjtin aktivitet të prokurimit është parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) nga OE konkurrent i cili ka qenë me çmim më të lartë se GEO i Rekomanduar për Kontratë nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Lipjanit.

Në rastin kur AK Komuna e Lipjanit është njoftuar me ankesën e paraqitur pranë OSHP-së, AK ka pezulluar procedurën në fjalë deri në nxjerrjen e vendimit nga Paneli Shqyrtues nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Proceduralisht dhe ligjërisht në raste të tilla Autoritetet Kontraktuese kanë obligim të pezullojnë aktivitetin e tyre të prokurimit, deri sa te nxirret Raporti Ekspertit Shqyrtues dhe Vendimit nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së, ndërsa vendimet e OSHP-së janë obligative për Autoritetet Kontraktuese.

Pas pranimit të Raportit të Ekspertit Shqyrtues, me nr 2024/1080, i datës 22.11.2024, dhe pas pranimit të Vendimit nga PSH i Organit Shqyrtues të Prokurimit me nr, 2024/1080 të datës; 14.01.2025, me të cilin VENDIM ka mbete në fuqi vendimi i Autoritetit Kontraktues, Komuna e Lipjanit ka lidhur kontratën në fjalë.

Vendimin nga PSH dhe Raportin e Ekspertit Shqyrtues mund t`i gjeni në faqe te Organit Shqyrtues të Prokurimit të cilat janë publike dhe të qasshme.
Zyra e Prokurimit i njofton qytetarët e Komunës së Lipjanit që të gjitha procedurat zhvillohen në harmoni të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik, dhe aktet tjera nënligjore të cilat rregullojnë këtë fushë.

Vërejtje: Njashtu i njofton qytetarët e Komunës së Lipjanit që zyra e prokurimit nuk do të dalë me demantime tjera por ju siguron se të gjitha procedurat janë publike dhe të hapura së bashku me njoftimet përkatëse, procesverbalet e hapjes dhe dokumente tjera në Sistem të E-Prokurimit, dhe të njëjtat janë publikuara edhe në faqen zyrtare të Komunës së Lipjanit, respektivisht monitorohen edhe nga KRPP, institucione tjera relevante, dhe OJQ të ndryshme.

Do vazhdojmë të punojmë në përputhje me dispozitat ligjore, pavarësisht deklarimeve për konsum elektoral.

Shtojcë: Procesverbali i hapjes nga aktiviteti në fjalë.

Komento: