Kjo është arsyeja pse delagacioni franko-gjerman vjen sot në Kosovë

09:37 | 03 Qershor 2019

Iniciativa franko-gjermane për zhbllokimin e dialogut.

Një delegacion i lartë gjermano-francez sot do ta vizitojë Kosovën, i cili do ta takojë presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli, dy udhëheqësit e ekipit negociator Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn, duke filluar kështu përgatitjet për Samitin e Parisit, i cili do të mbahet më 1 korrik të këtij viti.

Vizitën e bashkëpunëtorëve të presidentit francez Emmanuel Macron dhe të kancelares gjermane Angela Merkel në Prishtinë e ka konfirmuar edhe këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi, sipas të cilit në këtë takim do të diskutohet për takimin e Parisit, shkruan gazeta “Zëri”.

“Një delegacion ndërqeveritar të hënën do të qëndrojë më Prishtinë dhe do të pritet nga z. Ramush Haradinaj. Në takim do të diskutohet për zhvillimet e fundit politike, sigurisht edhe për dialogun, por mbi të gjitha për takimin e Parisit”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk ka njohuri se cilët zyrtarë tjerë shtetërorë të Kosovës do t’i takojnë përfaqësuesit francezë dhe gjermanë.

Komento: