Fillon seanca ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë në vitin 2023

13:56 | 07 Tetor 2025
Fillon seanca ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë në vitin 2023

Ka filluar seanca ndaj Endrit Nikës, i cili akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë në vitin 2023.

Seanca po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin për Krime të Rënda, ndërsa Nika ngarkohet me veprën penale “vrasje e rëndë”.

Në këtë seancë pritet të dëgjohet eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

Komento: