Naim Tërnava uron besimtarët për Fitër Bajram, kërkon unitet më të madh

11:54 | 03 Qershor 2019

Naim Tërnava uron besimtarët për Fitër Bajram, kërkon unitet më të madh.

Myftiu Naim Tërnava, me rastin e Fitër Barjamit, ka kërkuar që populli ynë të ketë unitet më të madh.

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, me rastin e Festës së Fitër Bajramit ka dhënë mesazhin e tij.

Tërnava ka thënë se festa e Fitër Bajramit vije pas një muaji dedikimi e sakrifice.

“Nesër është dita e parë e festës së Fiter Bajramit, e cila vjen pas një muaji dedikimi e sakrifice për t’u forcuar më tepër me Zotin, ku kultivuam shpirtmadhësinë, tolerancën, vëllazërinë, paqen, solidaritetin, vlera këto që kanë rol të pazëvendësueshëm për shoqërinë tonë. Feta e Fitër Bajramit është një arenë ku shkrihen dallimet, pozitat. Arenë ku takohen të gjithë me fitoren e përbashkët për të mirën e përgjithshme”, ka thënë ai.

Sipas tij nesër myslimanët festojnë ngase e kanë kryer një obligim të fesë islame.

“Festa e Fiter Bajramit troket në vatrat tona familjare, menjëherë pas muajit të madhërishëm të Ramazanit, periudhës së shenjtë gjatë së cilës myslimanët anë e mbanë botës kanë agjëruar duke sakrifikuar, duke u përpjekur të ripërtijmë vlerat më të mira shpirtërore. Nesër myslimanët festojnë dhe i gëzohen kësaj ditë ngase kanë kryer edhe një obligim të fesë islame, i cili radhitet në mesin e pesë shtyllave të islamit”, është shprehur ai.

Tërnava ka ftuar të gjithë që në këtë ditë feste të kujdesen për kategoritë sociale.

“Edhe në këtë ditë feste e kemi obligim t’i thërrasim ndërgjegjes për kategoritë sociale, jetimët dhe skamnorët që të kujdesemi për ta. Ne nuk kemi kryer obligimet tona, as ndaj Zotit, as ndaj vendit e shoqërisë, derisa ne si individë e pastaj si komunitet, e së fundmi si shtet të mos e bëjmë më të mirën e mundshme për këtë kategori”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera Tërnava ka ftuar të gjithë të kenë unitet mes vete dhe të falin mosmarrëveshjet që kanë pasur.

“Kjo ditë është ditë e unitetit, prandaj ta shfaqim unitetin në familje, dhe me njerëz të shoqërisë sonë. Kjo ditë është dita kur besimtari fal njerëzit e tjerë, ndaj edhe ju besimtar të devotshëm falni ata që iu kanë ofenduar, ata që iu kanë shpifur dhe kanë folur keq për ju, falni zënkat dhe mosmarrëveshjet mes jush. Allahu është me ata që falin”, është shprehur ai duke shtuar se duhet unitet më i madh politik kur është në pyetje e ardhmja e vendit.

“Në prag të kësaj feste, në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit ndaj Zotit krijues, ftoj për unitet më të fortë mes nesh. Për një unitet edhe më të madh politikë kur është në pyetje ardhmëria e vendit tonë, e vatanit tonë, për një solidaritet më të madh, për mirëkuptim e besim më të madh ndërfetar me të tjerët. Duke e lutur Zotin që të na e ketë pranuar agjërimit dhe të gjitha adhurimet tjera dhe të na fal begati të shumta. Urime festa e Fiter Bajramit”, ka thënë Tërnava në mesazhin e tij.

Komento: