Kryeparlamentari rus: BE-ja nuk është në gjendje të ndërmjetësoi dialogun Kosovë-Serbi

18:32 | 03 Qershor 2019

Kryeparlamentari rus ka zhvlerësuar Bashkimin Evropian me deklaratën e fundit.

Kryetari i Dumës Shtetërore të Rusisë, Vyacheslav Volodin, tha se ai që nuk e respekton Rezolutën 1244 për Kosovën duhet të mbajë përgjegjësi.

Volodin i bëri komentet të hënën në Kuvendin e Serbisë.

“Mungesa e një reagimi të qartë të Bashkimt Evropian ndaj provokimeve të Kosovës ngre dyshime se BE-ja është në gjendje të veprojë si një ndërmjetëse në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Volodin, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

“Konsiderojmë se të gjitha palët duhet ta respektojnë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. E, ata që nuk e respektojnë, duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Volodin në një seancë të posaçme të Kuvendit të Serbisë, që u mbajt me rastin e vizitës së tij.

Rezoluta 1244, e miratuar në qershor të vitit 1999 nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, autorizoi një prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë dhe themeloi Misionin e Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Kosova ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008 dhe udhëheqësit e saj thonë se misioni i UNMIK-ut është tashmë i tejkaluar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në takim me Volodinin se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë janë shumë të afërta, porse është e domosdoshme të punohet në rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur dialogun për normalizim marrëdhëniesh qysh në vitin 2011.

Procesi aktualisht ka ngecur për shkak të, siç është thënë, taksës që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia.

Komento: