
Biznesmeni Valon Ademi nga kompani “2A Group” ka vazhduar reagimin ndaj Behxhet Pacollit për çështjen e ngritur për Aeroportin e Vlorës – çka është shndërruar tashmë në luftë publike, ligjore dhe mediale.
Përmes një shkrimi të dytë Ademi e quajti “mashtrim” pretendimin e Pacollit dhe tha se u janë “ofruar para nga Pacollët”.
“Nuk jam në luftë me ata që flasin me metafora, as me ata që mbulojnë mashtrimin me buzëqeshje, e as me mashat. Lufta ime nuk ka emra, por ka kuptim. Lufta ime është me Compartment Berninin, jo si emër, por si simbol i asaj bote që kërkon të blejë flamurin tonë.

Ajo përfaqësohet nga Bart Turtelboom, njeriu që dikur përfaqësonte palën ruse në negociatat me Paris Club. Nuk është rastësi, është kujtesë. Një kujtesë se pas çdo formule financiare që duket e qetë, mund të fshihet një synim për të zhdukur rrënjët. Unë nuk jam në luftë për para, sepse sistematikisht deri në Gusht, Pacollët mi ofruan ato. Jam në luftë për të mos humbur kuptimin e fjalës “SHQIPËRI”.
Sepse për mua, Vlora International Airport nuk është një investim, është një pjesë e shpirtit të një kombi që ngrihet për të fluturuar mbi hijet që duan ta mbajnë poshtë”, shkroi ai në Facebook.