Kandidatja përdori telefonin, ndëshkohet instruktorja e auto-shkollës në Ferizaj

09:56 | 21 Tetor 2025
Kandidatja përdori telefonin, ndëshkohet instruktorja e auto-shkollës në Ferizaj

Një instruktore e autoshkollës ia pa sherrin kandidatës, pasi kjo e fundit shkeli rregullat e trafikut gjatë ushtrimeve me veturë.

Kandidatja G.H, duke vozitur u kap në flagrancë duke përdorur telefonin, me ç’rast u ndalua nga policia.

Meqenëse ishte nën mbikëqyrjen e instruktores N.S, e pësoi nga organet e rendit.

Siç njofton policia e Ferizajt, ndaj 51 vjeçares u shqiptua një gjobë prej 200 eurosh dhe asaj iu ndalua vozitja për tre muaj.

“Instruktorja në fjalë ka qenë e evidentuar edhe më parë për kundërvajtje të përdorimit të telefonit, duke vepruar për herë të dytë në kundërshtim me ligjin e trafikut rrugor”, thuhet në njoftim.

Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjitha auto–shkollat dhe instruktorët e tyre që gjatë procesit të trajnimit të kandidatëve të respektojnë me përpikëri rregullat e trafikut, në mënyrë që të garantohet siguria e pjesëmarrësve në komunikacion.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 14 gjoba kundërvajtëse ndaj shoferëve të cilët janë kapur duke përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit.

Komento: