Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, Kurti takon Cooper – përmend sulmin terrorist në Banjska

16:26 | 22 Tetor 2025
Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, Kurti takon Cooper – përmend sulmin terrorist në Banjska

Kryeministri në detyrë Albin Kurti u prit sot në takim nga sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër.

Kurti përkujtoi se përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, përkundër faktit që autori i sulmit terroristi Milan Radoiçiq, ka pranuar përgjegjësinë dhe se lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës. Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme, tha Kurti.

Në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.

Në takim u diskutua mbi temat kryesore të Samitit të Procesit të Berlinit: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu, biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes në fushat e energjisë, infrastrukturës, përfshirë edhe transportin dhe edukimin. Kurti tha se prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, dhe se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe mund të ecet drejt integrimit në Aleancën e Veri-Atlantikut./KosovaPress

Komento: