DW: Në takimin me Haradinajn, Merkel do t’i kërkojë atij heqjen e taksës ndaj Serbisë

18:53 | 04 Qershor 2019

Pak para takimit në Paris kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kancelaria gjermane, Angela Merkel do të takohen gjatë kësaj jave.

Për këtë, gazetari i DË-së, Bahri Cani ka thënë se sipas informacioneve takimi Merkel- Haradinaj do të zgjasë rreth një orë ku temë diskutimi, përveç dialogut, do të jetë edhe taksa 100% si dhe përgatitjet për Samitin e Parisit i cili do të mbahet më 1 korrik të këtij viti.

“Sipas informacioneve ky takim do të zgjasë një orë përafërsisht dhe temë kryesore do të jetë dialogu Kosovë- Serbi dhe raportet Kosovë- Gjermani si dhe përgatitjet për Samitin e Parisit që do të mbahet me 1 korrik”, tha ai.

“Pamë edhe një delegacion francezo- gjerman në vizitë në Prishtinë pasi ata nuk duan që çdo gjë t’ia lënë rastit por të përgatiten më mirë për këtë konferencë. Merkel është angazhuar edhe vet për zgjidhjen e problemeve në Ballkan. Merkel do të kërkojë shpjegime shtesë për mundësinë e heqjes së taksave ndaj Serbisë. Takimi do të mbahet në dyer të mbyllura dhe nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për shtyp”, përfundoi Cani.

Komento: