Punua në Zvicër dhe nuk i morën pensionet, vjen rrëfimi i kosovarëve

18:56 | 05 Qershor 2019

Ka ardhur rrëfimi i kosovarëve që kanë punuar në Zvicër e që nuk kanë marrë pensionet.

Me 115 vota pro, 60 kundër dhe dy abstenime, Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës sot ka miratuar Marrëveshjen sociale Zvicër-Kosovë, votim ky që nuk kaloi edhe aq i qetë, me arsyetimin se Kosova vazhdon të mbetet një shtet fragjil, që udhëhiqet nga klane e ku ka korrupsion.

Për 200,000 kosovarët në Zvicër dhe dhjetëra mijëra të kthyer në Kosovë sot është një ditë gëzimi. Këshilli Kombëtar ka vendosur të paguajë pensionet e AHV dhe IV në shtetin ballkanik pas gati dhjetë vjet ndërprerjeje. Për këtë, diaspora e Kosovës dhe sindikatat kishin luftuar për vite, shkruan gazeta Blick.

Për kosovarët, ndërprerja pati madje pasoja të rënda financiare. Çdokush që ka dalë në pension që nga viti 2010 duhej të vendoste: Ose ai qëndron në Zvicër dhe merr pensionin, ose kthehet në shtëpi dhe nuk merr para – edhe pse ai ka paguar kontribute të sigurimeve shoqërore dhe prandaj ka të drejtën e pensionit.

Gjezide Gavazaj ka thënë për gazetën zvicerane se nuk është e drejtë që mos t’i paguhet pensioni bashkëshortit të saj për sa vite që ka dhënë kontribut në Zvicër. 83 vjeçarja madje thotë që është e sëmurë dhe s’ka as kush t’i ndihmojë sepse është në moshë të shtyrë.

“Po jemi idhnu ma qekaq gat ma mos mi dhanë gjynah, qysh ka punue shumë, e unë më hek qetash në pleqni, atëherë në të ri kam punu, po qetash, kush më man mu?”, thotë ajo ndër të tjera.

Ndërsa 67 vjeçari Aliu Aliu i cili ka punuar për 35 vite në Zvicër, thotë se të gjithë shoktë e tij që kanë punuar në shtetet e tjera marrin pension, ndërsa ai që tani jeton në Kosovë nuk merr asnjë kontribut nga shteti zviceran.

“Shoktë e mi që kanë punue në Gjermani, Itali ose gjithkund nëpër botë ata marrin pension këtu në Kosovë, a unë që kam punu 35 vjet në Zvicër nuk marr pension”, shprehet ai.

Një tjetër kosovar që punoi gjithashtu për vite të tëra në Zvicër, thotë që për arsye të mosmarrëveshjeve ndërshtetërore, ai s’merr pension, ndërsa shprehet se ai është i pafajshëm.

“Gjatë asaj kohe që kam punu s’kam qenë kurrë i zhytyn kurrë një herë, por tash jemi zhyt në kohën e fundit që pensioni nuk po na bahet me kohë dhe si duhet. Na kanë mbet këto gjana mosmarrëveshje ndërshtetërore. Unë jam i pafajshëm”, shprehet 69 vjeçari, Ramush Azemi.

Fatin e mijëra kosovarë që u kthyen në atdhe dhe s’morën pension për aq vite sa punuan në Zvicër e pati edhe 71 vjeçari, Shaban Qorri.

Ndryshe, marrëveshja që u bë sot në Zvicër mund të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, ndoshta deri në 1 janar 2020.

Komento: