Sot iu dha lamtumira e fundit, vendi ku lindi merr vendimin e madh që duhet duartrokitur për Shpatin

17:27 | 30 Nëntor 2025

Komuna e Tetovës ka shpallur ditë zie në nderim të këngëtarit të njohur shqiptar Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë të mërkurën në Itali, në moshën 40-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi zyrtar të komunës, e cila thekson se vdekja e tij përbën një humbje të madhe për komunitetin kulturor dhe artistik të Tetovës, por edhe për gjithë skenën muzikore shqiptare dhe më gjerë.

Në njoftimin e komunës thuhet se “për shkak të ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi, Komuna e Tetovës shpall ditën e hënë, 1 dhjetor 2025, si ditë zie në të gjithë territorin e saj.

Shpat Kasapi dha një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e muzikës dhe kulturës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të vendit dhe jashtë saj.

Ngushëllimet më të thella i shprehim familjes së tij, miqve, kolegëve dhe gjithë artdashësve që e deshën dhe e vlerësuan atë”.

Shpat Kasapi ishte një nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare, me një karrierë të gjatë dhe të pasur me këngë që kanë arritur të prekin zemrat e publikut.

Përmes muzikës së tij, ai u bë simbol i një brezit artistik që kombinoi traditën me stilin modern, duke kontribuar në promovimin e muzikës shqiptare jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit.

Varrimi i tij u zhvillua sot në varrezat e qytetit të Tetovës, ku morën pjesë mijëra qytetarë dhe adhurues të muzikës së tij, të cilët erdhën për të nderuar kujtimin e tij dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Atmosfera në varreza ishte e mbushur me trishtim dhe respekt, ndërsa miq, kolegë dhe familjarë shprehën dhembjen e tyre për humbjen e një njeriu të dashur dhe të respektuar.

Vdekja e Shpat Kasapit ka shkaktuar një reagim të madh në median lokale dhe ndërkombëtare, ku artistë dhe fansa kanë ndarë mesazhe ngushëllimi, duke theksuar talentin, përkushtimin dhe ndikimin e tij në muzikën shqiptare.

Kujtimi i tij pritet të mbetet i gjallë përmes veprës muzikore që la pas, e cila do të vazhdojë të dëgjohet dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm./ORAinfo/

Komento: