
Kryeqyteti do të mbetet edhe nesër pa autobusë, pasi punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorët privatë vazhdojnë të presin ekzekutimin e mjeteve financiare nga Komuna e Prishtinës.
Nga “Trafiku Urban” kanë bërë të ditur se rikthimi në punë varet vetëm nga alokimi i borxheve të papaguara.
Elmi Gashi, në një prononcim për media, tha se sapo paratë të transferohen në llogaritë e punëtorëve dhe operatorëve, shërbimi do të rifillojë menjëherë, për 30 minuta .
“Protesta ka përfunduar, por jemi në pritje të alokimit të mjeteve. Që të paguhen rrogat dhe obligimet ndaj operatorëve privatë, duhet të kryhet bartja e fondeve. Në momentin që ndodh kjo, jemi gati të nisemi me punë, na duhen rreth 30 minuta për t’u përgatitur”, tha Gashi.