
Më 26 mars të vitit 2023, në fshatin Dumnicë të Podujevës u vra Salih Salihu. Sipas Prokurorisë, ai u privua nga jeta nga Besnik Salihu, i cili para trupit gjykues ka deklaruar se viktima është djali i axhës së babait të tij.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Besnik Salihu, pas një mosmarrëveshjeje me të ndjerin, e ka qëlluar këtë të fundit me armë zjarri në kokë, duke i shkaktuar gjakderdhje të jashtme masive, nga e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Sipas organit akuzues, i pandehuri më pas është larguar nga vendi i krimit.
Përveç Besnikut, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj vëllait të tij, Ilazi Salihu, i cili akuzohet se ka ndihmuar në vrasjen e kushëririt. Prokuroria pretendon se Ilazi, në kohë, vend dhe mënyrë të njëjtë me sa përshkruhet në dispozitivin e parë të aktakuzës, me dashje e ka ndihmuar vëllain e tij duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale.
Kësisoj, Besnik Salihu akuzohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ndërsa Ilazi Salihu akuzohet për ndihmë në vrasje të rëndë, shkruan Insajderi.
Në lidhje me këtë rast, i cili ka ndodhur rreth dy vite më parë, para gjykatës ka dëshmuar edhe vajza e të ndjerit. Ajo ka thënë se natën kritike e ka gjetur babain e saj të vrarë në mal dhe ka parë një burrë duke u larguar nga vendi i ngjarjes, të cilit ia kishte parë vetëm pjesën e pasme të trupit.
Sipas saj, kur i njëjti person kishte shkuar tek familja për të marrë pjesë në të pame, ajo e kishte identifikuar si Besnik Salihun. Ajo deklaron se Besniku asaj ia kishte pranuar kryerjen e vrasjes.
Megjithatë, dëshmia e Besnik Salihut dhënë më 2.12.2025 ndryshon nga ajo e vajzës së viktimës. Para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarët Alban Ajvazi, Gent Beka dhe Gazmend Bahtiri, ai deklaroi se me të ndjerin nuk kishte pasur marrëdhënie të mira që nga viti 2007, shkruan Insajderi.
Ai pretendon se natën kritike e kishte parë Salih Salihun, por nuk kishte komunikuar me të. Sipas tij, momentin e kryerjes së krimit e kishte parë nga oborri i shtëpisë, ku sipas tij pesë persona të maskuar e kanë kryer vrasjen dhe më pas e kanë hedhur trupin në një pus. Ai shtoi se nuk e kishte njoftuar policinë për shkak se telefoni i tij nuk kishte bateri. Një detaj tjetër ishte se sipas tij, atë natë në fshat mungonte energjia elektrike.
Besniku deklaron gjithashtu se e dinte që viktima zakonisht kthehej në fshat gjatë fundjavave, duke lënë të kuptohet se persona të tjerë dhe/ose ai mund ta kenë ditur rutinën e tij.
Për të dëgjuar dëshminë e plotë të dhënë para trupit gjykues, mund të ndiqet materiali i përgatitur nga gazetarja e Insajderit, Dijellza Preniqi.