“Po e dëmtojnë procesin zgjedhor”, Krasniqi propozon shkarkimin e dy anëtarëve të VV-së në KQZ

13:26 | 03 Dhjetor 2025
“Po e dëmtojnë procesin zgjedhor”, Krasniqi propozon shkarkimin e dy anëtarëve të VV-së në KQZ

Albert Krasniqi nga organizata Democracy Plus ka theksuar së dy anëtaret e Lëvizjes Vetëvendosje nuk po e respektojnë betimin që e kanë dhënë.

Bëhet fjalë për Sami Kurteshin dhe Alban Krasniqin, të cilët sipas tij, meritojnë të shkarkohen nga pozita e tyre pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Anëtarët e KQZ-së betohen se do t’i kryejnë detyrat me ndershmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm. Ligji parasheh se mandati i një anëtari mund të ndërpritet kur sjelljet apo veprimet e tij e dëmtojnë seriozisht statusin dhe integritetin e Komisionit. Një vendim i tillë merret me shumicën prej dy të tretave (2/3) të anëtarëve të KQZ-së”.

“Dy anëtarët e emëruar nga LVV kanë shfaqur sjellje që ose tregojnë mosnjohje elementare të ligjeve, ose synim të ndërgjegjshëm për të dëmtuar procesin zgjedhor. Çdo njëra prej këtyre mjafton për t’i shkarkuar nga detyra – dhe rastet e grumbulluara deri më tani janë të shumta. Mjafton të lexohen reagimet e fundit të shteteve mike të Kosovës për të kuptuar qartë se si po vlerësohen veprimet e tyre destruktive. Këta dy anëtarë po i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë integritetit të KQZ-së dhe besimit publik në procesin zgjedhor”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Sipas tij, anëtarët tjerë të këtij Komisioni, duhet të tregojnë më shumë guxim dhe t’i qëndrojnë prapa betimit të dhënë për paanshmëri dhe profesionalizëm.

Komento: