
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar punwtori me Zyrtarët Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (ZEKKZ), për të diskutuar për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.
Ky komision njofton se në punëtorinë ku morën pjesë anëtarë të KQZ-së dhe ZEKKZ-të u diskutua për procesin përgatitor të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Gjithashtu, në këtë punëtori të organizuar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, pjesëmarrësit diskutuan sfidat që hasen në nivel lokal gjatë fazave të ndryshme të përgatitjes së zgjedhjeve, si dhe mënyrat e adresimit të tyre brenda kuadrit ligjor dhe rregullativ zgjedhor.
“KQZ, në çdo komunë ushtron funksionin zyrtar përmes Zyrtarit Ekzekutiv të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (ZEKKZ), i cili gjatë periudhës së zgjedhjeve është Kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve”.
“Së fundmi, në kuadër të përgatitjes së procesit zgjedhor, KQZ njofton se ka marrë vendim për emërimin e 215 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në 38 komunat e Republikës së Kosovës, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike”, thuhet në njoftim.