Publikohen dy botime të reja të Gjykatës Supreme të Kosovës

17:26 | 05 Dhjetor 2025
Publikohen dy botime të reja të Gjykatës Supreme të Kosovës

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka publikuar sot dy botime të rëndësishme juridike, të cilat synojnë unifikimin e praktikës gjyqësore dhe forcimin e standardeve profesionale në sistemin e drejtësisë. Botimet u prezantuan në konferencën vjetore “Ditët e gjyqësorit”, të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në njoftim thuhet se Gjykata Supreme, si institucioni më i lartë gjyqësor në vend, vazhdon për të tretin vit radhazi përmbushjen e mandatit kushtetues dhe ligjor për harmonizimin e praktikës gjyqësore.

“Përmes këtyre përmbledhjeve synojmë të sigurojmë zbatim të qëndrueshëm të ligjit dhe rritje të transparencës, duke avancuar cilësinë e vendimmarrjes gjyqësore”, theksohet në komunikatë.

Botimi i parë, “Përmbledhje nga praktika e Gjykatës Supreme të Kosovës në çështje civile dhe penale”, ka për qëllim të ndihmojë në harmonizimin e praktikës gjyqësore dhe përmirësimin e cilësisë së vendimeve.

“Synimi është që të rrisim efikasitetin, transparencën dhe besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Ndërsa botimi i dytë, “Vendime të përzgjedhura të Gjykatës Supreme të Kosovës”, fokusohet në forcimin e unifikimit të praktikës gjyqësore dhe rritjen e transparencës institucionale.

“Ky botim synon zhvillimin e mëtejshëm të standardeve të larta profesionale në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës”, vlerëson Gjykata Supreme.

Institucioni thekson se qëllimi i Përmbledhjeve është të ofrojnë zgjidhje praktike dhe udhëzime për gjyqtarët në rastet që paraqesin dilema juridike.

“Këto botime synojnë të sigurojnë zbatim të njëtrajtshëm të ligjit, gjithmonë në përputhje me parimet e drejtësisë dhe standardet më të mira ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Botimet janë realizuar me mbështetjen e Akademisë së Drejtësisë.

“Akademia e Drejtësisë, në përputhje me mandatin e saj institucional, kontribuon në zhvillimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, theksohet më tej.

Të dy botimet do të jenë të qasshme për profesionistët e drejtësisë dhe publikun e gjerë në faqet zyrtare të Gjykatës Supreme dhe të Akademisë së Drejtësisë.

Komento: