
Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i udhëhequr nga guvernatori Ahmet Ismaili, ka realizuar një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Estonisë (Eesti Pank) dhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë (Finantsinspektsioon), me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në fushat kyçe të mandateve të tyre.
Delegacioni u mirëprit në Eesti Pank nga guvernatori Madis Müller dhe zëvendësguvernatori Ülo Kaasik. Takimi i nivelit të lartë mes Ismailit dhe Müller-it shënoi hapjen e vizitës. Gjatë prezantimit të tij, guvernatori Müller paraqiti rolin dhe prioritetet strategjike të bankës qendrore të Estonisë.
“Ne kemi ndërtuar një kornizë operacionale që mbështet stabilitetin dhe zhvillimin financiar, duke u fokusuar në transparencë dhe inovacion,” tha Müller gjatë takimit.
Ndërsa guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe në rajon, duke nënvizuar progresin e sektorit financiar dhe afrimin me praktikat evropiane.
“Republika e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të kornizës sonë rregullatore dhe mbikëqyrëse. Përafrimi me standardet e BE-së mbetet prioritet yni strategjik,” theksoi ai.
Pas takimit të nivelit të lartë, ekipet teknike të të dy institucioneve zhvilluan sesione të detajuara mbi analizat makroekonomike, mbikëqyrjen makroprudenciale, monitorimin e rrezikut, raportimin e të dhënave dhe qasjen në të dhëna të cilësisë së lartë. Diskutimet u fokusuan gjithashtu edhe në praktikat e komunikimit institucional në kontekstin e mandatit të bankave qendrore.
Në kuadër të vizitës, delegacioni i BQK-së u takua edhe me Andres Kurgpõld, anëtar i Bordit Menaxhues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë. Ky takim shërbeu për të shkëmbyer pikëpamje mbi tregun financiar dhe sfidat mbikëqyrëse.
“Eesti Finantsinspektsioon vazhdon të investojë në mbikëqyrjen moderne dhe të qëndrueshme, veçanërisht në fushat e sigurisë kibernetike dhe sjelljes së tregut,” tha Kurgpõld.
Guvernatori Ismaili informoi për gjendjen e sektorit financiar në Kosovë, duke theksuar stabilitetin dhe avancimin e rregulloreve.
“Sektori ynë financiar është në trend pozitiv zhvillimi dhe ne jemi duke punuar për forcimin e mëtejshëm të sistemeve mbrojtëse dhe praktikat e mbikëqyrjes,” u shpreh ai.
Në nivel teknik, ekspertët e BQK-së dhe ata të Finantsinspektsioon diskutuan mbi sektorin financiar, qasjet e mbrojtjes së konsumatorit, sjelljen në treg dhe strukturën e mbikëqyrjes mikroprudenciale, duke përfshirë mbikëqyrjen dhe proceset e përmbylljes bankare.
BQK shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe organizimin e takimeve.
“Falënderojmë Bankën Qendrore të Estonisë dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për bashkëpunimin e vyer. BQK mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit tonë dhe avancimin drejt standardeve evropiane,” thuhet në njoftimin e BQK-së.
Institucioni thekson se bashkëpunimi dypalësh do të vazhdojë me synimin për të promovuar stabilitet financiar dhe rritjen e cilësisë së mbikëqyrjes në përputhje me standardet ndërkombëtare.