
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se sot Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së e ka nominuar si kandidat për kryeministër dhe bartës të listës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Gjithashtu në takimin e mbajtur, Haradinaj ka thënë se është miratuar lista prej 110 deputetëve dhe slogani “Krah teje”.
Njoftimi i plotë:
I nderuar që sot Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së më ka nominuar kandidat për kryeministër dhe bartës të listës për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit. Poashtu, ka miratuar listën prej 110 kandidatëve për deputetë, sipas kriterit të gjithpërfshirjes rajonale, profesionale dhe gjinore.
Sllogani i AAK-së në këto zgjedhje do të jetë “Krah Teje”.
Poashtu, Aleanca ka miratuar edhe programin zgjedhor, i cili është i ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, si dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik.
Kombinimi i lidershipit të guximshëm e vizionar, lista gjithpërfshirëse dhe programi i zhvillimit ekonomik, janë themeli mbi të cilin do të ndërtohet oferta e Aleancës për këto zgjedhje parlamentare.
Aleanca parasheh rritje ekonomike vjetore prej 7 për qind, rritje të GDP-së prej 12 në 14 miliardë euro brenda mandatit, rritje të buxhetit prej 3.3 miliardë eurosh, sa ka qenë në vitin 2025, në 4 miliardë për vitin 2026, për të mbërritur në 6.1 miliardë në vitin e fundit të mandatit katërvjeçar.
Kjo politikë buxhetore është garanci e stabilitetit financiar, e rritjes së pensioneve dhe pagave, të cilat që në vitin 2026 do të shënojnë rritje prej 31 për qind, shprehur në vlera nominale: pagë mesatare prej 1,100 eurosh dhe pension prej 500 eurosh, varësisht nga kategoritë.
Pagat dhe pensionet, në kohë reale, do ta ndjekin trajektoren e ngritjes vjetore sipas indeksit të zhvillimit ekonomik dhe inflacionit.
Kategoria e investimeve kapitale, si shtyllë e shtimit ekonomik, do të rritet mesatarisht prej 61 për qind në vitin e parë, për të mbërritur në 240 për qind në vitin 2029.
Aleanca në zgjedhje niset “Krah Teje”, për rikthim të normalitetit në vend, zhvillim e mirëqenie, për anëtarësim në NATO dhe BE, për rikthim të partneritetit strategjik me aleatë të prirë nga SHBA, për sigurinë dhe ruajtjen e Shtetit si një të të pandarë.
“Krah Teje” për Kosovën tonë të përbashkët.
Na priftë e mbara!