
Policia e Ferizajt ka arrestuar një 31-vjeçar (N.A.) i cili dyshohet se ka kryer disa vjedhje brenda një nate dhe edhe disa të tjera më herët. Dy rastet e fundit u raportuan më 4 dhjetor.
Rreth orës 20:04, në rrugën “Zenel Hajdini”, ai kishte vjedhur artikuj ushqimorë nga një market. Rreth orës 21:00, në rrugën “Lulzim Guta”, kishte marrë disa palë këpucë nga oborri i një shtëpie.
Policia e zbuloi dhe e arrestoi atë rreth orës 21:20. Gjatë intervistimit, i dyshuari pranoi të dy vjedhjet e asaj nate. Pas analizimit të provave dhe video-inçizimeve, hetuesit e lidhën atë edhe me dy raste të mëhershme:
15.10.2025, në rrugën “Esat Mekuli”, kishte vjedhur disa palë këpucë;
31.10.2025, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, brenda Xhamisë së Madhe të Ferizajt, kishte vjedhur pajisje të zërit dhe këpucë.
Edhe këto raste i pranoi.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Policia Rajonale e Ferizajt thotë se mbetet e angazhuar për parandalimin dhe zbardhjen e veprave penale dhe për garantimin e sigurisë së qytetarëve.