“Bebit nuk i rreh më zemra”, historia e dhimbshme e çiftit Hysko-Huta

20:47 | 06 Dhjetor 2025

Moderatori Turjan Hysko dhe bashkëshortja e tij, Orinda Huta, kanë ndarë së fundmi një histori shumë personale, teksa rrëfyen se si Orinda pësoi abort spontan gjatë shtatzënisë së parë. Çifti tregon se gjithçka ndodhi në javën e 11-të të shtatzënisë, kur Orinda i shkroi Turjanit mesazhin tronditës: “Bebit nuk i rreh më zemra.”

Moderatori rrëfeu se ajo ditë ka qenë një nga më të rëndat e jetës së tij: “Unë të vetmen humbje në jetë kam pasur babin, dhe përtej injorancës dhe mosdijes së një mashkulli, aty kuptova pafuqinë që ‘s’ke në dorë gjë ti’. Për herë të parë nuk dija çfarë të të thosha ty,” iu drejtua ai Orindës në podcastin e saj “Mam”.

Ai shtoi se Orinda, pavarësisht dhimbjes, u tregua e fortë dhe e qetë, duke i thënë pak ditë pas ngjarjes: “Jo Turjan kjo gjëja është normale, është një proces normal.” Megjithatë, Turjan nuk nguroi të tregonte se u ndje i zhgënjyer nga njerëzit e afërt, pasi vetëm pas rrëfimit të ngjarjes mësoi se shumë çifte kishin kaluar të njëjtën përvojë: “Ky ka qenë vërtet momenti ku unë jam mërzitur me njerëzit afër nesh sidomos shokët e mi, pasi unë tregova këtë gjënë, papritur mora vesh se shumë çifte kishin aborte. Aty thash pse nuk flasin këta njerëz, ishte një ndjesi shumë e shëmtuar, shumë e dhimbshme.”

Ai përshkroi peshën e padukshme që kjo periudhë vendos mbi çiftin, por shtoi: “Kur e do familjen dhe kur kupton që do trashëgimtar dhe pavarësisht kush është fajtori, në çift është një perde e padukshme që duhet të kesh shumë forcë karakteri, duhet të kesh shumë dashuri, duhet të jetë shumë e fortë që t’i rezistosh dhe falë Zotit ne ia dolëm dhe nuk hoqëm dorë.”

Pas tre vitesh përpjekjesh, çifti vendosi të provonte metodën IVF (Fekondim In-Vitro), që për ta rezultoi e suksesshme dhe bëri të mundur ardhjen në jetë të vajzës së tyre, Atara.

Komento: