Haxhiu dhe Nagavci takojnë nxënësit: Roli i të rinjve kyç në luftën kundër dhunës me bazë gjinore

11:56 | 10 Dhjetor 2025
Haxhiu dhe Nagavci takojnë nxënësit: Roli i të rinjve kyç në luftën kundër dhunës me bazë gjinore

Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë pritur disa nxënës në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës me të cilët u diskutua roli i rëndësishëm i të rinjve në luftën ndaj dhunës në baza gjinore.

Ish-ministrja e Drejtësisë dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se janë kundër çdo lloj dhune, por që dhuna ndaj vajzave dhe grave është një fenomen, meqë 90 për qind e rasteve të dhunës janë ndaj tyre.

“Kjo fushatë nuk është thjesht një datë në kalendar por një thirrje ndërkombëtare për ndërgjegjësim, për reflektim dhe veprim. Dhuna ndaj vajzave, grave është një prej shkeljeve më të përhapura të të drejtave të njeriut në botë. Prekë shumë familje, komunitet dhe ndoshta dikush me të drejtë mund të më pyesë pse po flet vetëm për dhunën ndaj vajzave dhe grave, natyrisht që dhuna është e ndaluar dhe dënohet edhe kur ajo bëhet kundrejt burrave dhe djemve. Pro në Kosovë dhe vende tjera rreth 90 për qind të rasteve të raportuara janë kundër vajzave dhe grave pra e kemi fenomen dhe fenomenet duhet t’i luftojmë dhe të angazhohemi”, tha Haxhiu.

Haxhiu ka shpjeguar para nxënësve shenjat e dhunës, duke thënë se dhuna nuk fillon vetëm me një goditje, e përçka shton se në raste shfaqet një  xhelozi  që nganjëherë duket si dashuri por që kjo nuk qëndron.

Sot dua të flas dhe për rolin tuaj në ndryshimin e këtij realiteti. Ju jeni potenciali më i madh që ka Republika e Kosovës prandaj është tepër e rëndësishme që bashkërisht kudo që të angazhohemi me këtë drejtim. Dhuna nuk fillon vetëm me goditje, ajo shpesh fillon me fjalë, me tallje, përqeshje me tendence për të kontrolluar dikë, për t’i treguar si duhet të vishet e të flas, me xhelozi që nganjëherë mund të duket si dashuri por nuk është dashuri. Xhelozia nuk është dashuri. Fillon me rrejtët sociale, komente fyese, shpërndarje të fotove pa leje, normalizim të sjelljeve që nuk janë normale. Pro njësoj siç fillon me gjëra të vogla edhe ndryshimi fillon me gjëra të vogla dhe mund të fillojë me ju. Ju keni fuqinë të formoni kulturën e brezit tuaj, një kulturë ku dhuna nuk pranohet, kur respekti  vlen më shumë se forca, ku vajzat dhe gratë trajtohen si të barabarta si partnere, si njerëz me dinjitet dhe me të drejta të barabarta. Ne natyrisht që konsiderojmë që mendimi ndryshe është normal”, deklaroi ndër të tjera Haxhiu.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka sugjeruar nxënësit që nëse shohin ndryshime tek shokët e shoqet e tyre, le të konsultohen me njerëzit më të afërt.

“Nëse identifikoni që kushdo nga shokët, shoqet ndihet jo mirë, vëreni ndryshime që nuk janë të zakonshëm adresoni ato te njerëzit që u besoni, qofshin ata mësimdhënësit, profesorët, psikologët, këshilltarët dhe persona tjerë. Sepse secili prej nesh që ka pozita publike, mësimdhënësit, drejtorët, ministrat, përfaqësuesit e institucioneve jemi këtu për të qenë në mbështetjen tuaj, dhe për të siguruar jo vetëm politika që ofrojnë siguri për secilin, por edhe për t’u siguruar që ato politika implementohen suksesshëm dhe garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e të gjithëve. Me besimin e plotë që jeni të vetëdijshëm dhe do të punoni e angazhoheni për këtë ju uroj shumë suksese dhe pres që të jemi bashkë në mirëqenien për secilin”, theksoi Nagavci.

Komento: