
Afati për thirrjen publike për përkrahjen financiare të NMVM-ve në skemën e granteve për energji të pastër, i shpallur më 10 tetor 2025, do të vazhdojë të mbetet i hapur deri më 31 janar 2026, njofton Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Mbështetja do të jetë në vlerë deri në 25 mijë euro për biznes, ndërsa projekti është financuar nga Qeveria e Luksemburgut, e zbatuar nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor. Të drejtë aplikimi kanë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) ose ndërmarrje të mëdha dhe nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike, dhe ato që kanë prodhimin ose përpunimin si aktivitet primar ose sekondar.
Kjo skemë mbështet bizneset prodhuese dhe përpunuese që duan të investojnë në teknologji të gjelbra, të rrisin efiçiencën e energjisë dhe të kontribuojnë në tranzicionin drejt energjisë së pastër. Skema e Granteve për Energji të Pastër zbatohet përmes tri thirrjeve të veçanta publike, të cilat përfshijnë tri masa: Mbështetje për sistemet e energjisë solare dhe sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, mbështetje për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve dhe mbështetje për pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.
Brenda kësaj skeme do të përkrahen bizneset në sisteme solare për prodhim të energjisë elektrike, sisteme solare për ngrohjen e ujit, efiçiencën e energjisë përmes investimeve në izolim të ndërtesave, bateri për sisteme solare FV, si dhe shndërrues frekuencor për të rritur efiçiencën e pajisjeve që prodhuesit tashmë i kanë në përdorim. Skema e Granteve për Energji të Pastër do të ofrojë deri në 20 mijë euro për një masë të vetme, deri në 25 mijë euro për masa të kombinuara.
Bizneset e interesuara mund të informohen rreth kësaj thirrje publike, duke shqyrtuar me kujdes kriteret dhe kushtet e përcaktuara në udhëzues. Për më shumë informacion mbi mënyrën e aplikimit dhe detajet e thirrjes shikoni në linkun: https://kiesa.rks-gov.net/Page.aspx?id=1,5,1021, ndërsa aplikimi bëhet përmes platformës eKosova: https://ekosova.rks-gov.net/