
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka mirëpritur heqjen e masave që Bashkimi Evropian i kishte vendosur ndaj Kosovës, për cka në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, ai tha se këto masa ishin të padrejta që në ditën e parë dhe se institucionet e shtetit të Kosovës nuk ishin ato që eskaluan situatën në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.
Mirëpo Kurti nga salla e mbledhjeve në objektin e Qeverisë ka sulmuar opozitën duke thënë se Kosova masat më të mëdha financiare i mori nga opozita sesa nga BE, duke iu referuar seancës së Kuvendit në të cilën nuk ishin votuar disa buxhete por as marrëveshjet ndërkombëtare.
“E mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian për të hequr masat që i ishin vendosur Kosovës. Ishin të padrejta që në ditën e parë. Sepse së pari institucione e Republikës së Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë dhe së dyti desskalimi i situatës ishte pikërisht meritë e institucioneve të Kosovës. Ndërkohë RKS dhe institucionet e saj u bën cak i sulmeve terroriste, prej të cilave dy me pasoja të rënda, ai në Banjskë të Zvecanit me 24 shtator të 2023 ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi ynë Afrim Bunjaku dhe tjetri në kanalin Ibër Lepenc në Vragë të Zubin Potokut me 29 nëntor 2024 që synonte dëmtimin e pariparueshme të infrastrukturës kritike. Për të dy këto sulme tashmë ka aktakuza të ngritura”, tha Kurti.
Kurti thotë se nëse nuk do të ishte aq e shpejtë ndërhyrja e njësiteve speciale të Kosovës, mëngjesi i 24 shatorit të 2023-ës do të zbardhte një realitet krejtësisht tjetër.
“Për rastin e Banjskës të gjitha provat dëshmojnë për një plan të përgatitur me përfshirjen dhe financimin e shtetit të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes strukturave paramilitare pas një konflikti që do të zgjerohej. Po të mos ishin vendimet në kohë dhe reagimi i shpejtë dhe profesional i njësive tona speciale të policisë, mëngjesi i 24 shatorit do ta në zbardhte një realitet krejtësisht tjetër në terren. Ndërkaq për sulmin në kanalin Ibër Lepenc, provat e grumbulluara dhe informacionet rreth të arrestuarve gjithashtu konfirmojnë përfshirjen e strukturave ilegale dhe vet shtetit të Serbisë”, u shpreh Kurti.
Ai ma dje tha se “Në retrospektivë, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Republikën Kosovës situata e qetë , lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës është pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik”.
Por për gjitha këto, Kurti pati një koment për opozitën duke i fajësuar se masat më të mëdha Kosovës i erdhën nga kjo dhe jo nga BE.
“Megjithkëto gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me Bashkimin Evropian. Kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj integrimit evropian për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleat dhe kampion të vlerave demokratike. Por më duhet të them dhe diçka. Republika e Kosovës masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian por nga opozita parlamentare. Në muajin kaluar përkundër insistimit, Kuvendi i republikës u shpërnda pa u votuar plani i rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore me vlerë mbi 120 milionë euro, pra mbi 1 miliard euro gjithsej, në mungesë të vullnetit dhe votës së opozitës. Andaj uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit edhe opozita e tanishme t’ia heq masat Kosovës”, deklaroi Kurti.