
Vetëm 586 vëzhgues janë akredituar deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Shumë të tjerë pritet të akreditohen në mbledhjet e radhës të KQZ-së.
Të gjithë këta vëzhgues të akredituar përfaqësojnë organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi dipomatike.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për KP, se afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve dhe mediave, do të mbyllet gjatë ditës së sotme, e shtunë, 20 dhjetor.
“Deri në përfundim të ditës së sotme, e shtunë, 20 dhjetor, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve”, njoftoi Elezi.
Ai ka theksuar se për KQZ-në, vëzhgimi i zgjedhjeve ka rëndësi të veçantë, pasi me anë të tij, vëzhguesit ndihmojnë në rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor dhe identifikimin e mangësive në organizim.
“Vëzhgimi i zgjedhjeve është një element thelbësor për garantimin e transparencës, integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor. Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, prania e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë përbën një mekanizëm të rëndësishëm mbikëqyrës që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor. KQZ e konsideron vëzhgimin si një proces të domosdoshëm, i cili mundëson përcjelljen e të gjitha fazave të zgjedhjeve – nga përgatitjet, dita e zgjedhjeve, e deri te numërimi dhe shpallja e rezultateve”, tha Elezi.
Sipas KQZ-së, vetëm vëzhguesit e akredituar nga KQZ do të mund të vëzhgojnë procesin përgatitor, mbajtjen e zgjedhjeve dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).