
Liverpooli ka frikë se Alexander Isak ka pësuar dëmtime serioze në këmbë gjatë lëndimit në ndeshjen ndaj Tottenhamit dhe mund të përballet me një mungesë të gjatë nga fushat.
Lojtari që kushtoi 125 milionë funte u lëndua pas një dueli me Micky van de Ven, vetëm një fraksion sekonde pasi Isak kishte lëshuar goditjen që solli golin e parë të Liverpoolit.
Isak do t’i nënshtrohet një rezonance magnetike (MRI), përpara se Liverpooli të kuptojë shkallën e plotë të dëmtimit, por në klub ekziston shqetësimi se do të jenë pa blerjen më të shtrenjtë në histori për një periudhë të konsiderueshme.
Reprezentuesi suedez ka pësuar dëmtim në pjesën e poshtme të këmbës, e jo në gju, dhe natyra e ndërhyrjes e ka rritur shqetësimin te Liverpooli. Ai nuk ishte në gjendje as të festonte golin, duke pasur nevojë për trajtim të menjëhershëm mjekësor, dhe u largua nga fusha duke çaluar.
Sulmuesi ka pasur një fillim me ndërprerje në karrierën e tij te Liverpooli pas transferimit rekord britanik në ditën e fundit të merkatos. Fillimisht iu desh kohë të fitonte formën fizike pasi kishte humbur përgatitjet parasezonale, e më pas u lëndua në ijë gjatë fitores në Ligën e Kampionëve ndaj Eintracht Frankfurtit.
Ai shënoi vetëm golin e tij të dytë në Premier League për Liverpoolin kundër Spurs, por tani mungesa e tij e lë trajnerin Arne Slot me mungesë sulmuesish për të ardhmen e afërt.
Edhe Cody Gakpo është i dëmtuar, ndërsa Mohamed Salah ndodhet me Egjiptin në Kupën e Afrikës së Kombeve. Përveç kësaj, mesfushori i gjithanshëm Dominik Szoboszlai do ta humbasë ndeshjen e së shtunës ndaj Wolves për shkak të pezullimit, pasi ka marrë kartonin e pestë të verdhë të sezonit.