Anëtarët e KQZ-së të shqetësuar për furnizimin me rrymë më 28 dhjetor, diskutojnë sfidat në vendvotime dhe qendrat e numërimit

14:56 | 23 Dhjetor 2025
Anëtarët e KQZ-së të shqetësuar për furnizimin me rrymë më 28 dhjetor, diskutojnë sfidat në vendvotime dhe qendrat e numërimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur shqetësim lidhur me furnizimin me energji elektrike gjatë ditës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, veçanërisht në procesin e numërimit të votave dhe funksionalitetin e pajisjeve në vendvotime dhe Qendrat Komunale të Numërimit.

Në mbledhjen e mbajtur të martën, anëtarët e KQZ-së diskutuan për ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike në disa rajone të vendit, duke ngritur nevojën për koordinim të drejtpërdrejtë me institucionet përgjegjëse për të shmangur probleme në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, tha se shqetësimet lidhen me njoftimet për ndërprerje të energjisë dhe thirrjet për kursim të saj, duke theksuar rrezikun për procesin pas mbylljes së vendvotimeve.

“Po ndërlidhna me njoftimet që kanë ardhur në raport me ndërprerjen e energjisë elektrike dhe thirrjes për kursimin e energjisë. Duke parë që gjatë kësaj periudhe të fushatës zgjedhore ka ndërprerje të energjisë anë e kënd vendit, konsideroj që prej KQZ-së nevojitet një komunikim i drejtpërdrejtë me ministrin, por edhe me organet e tjera, edhe me KEDS, KESCO e KOSTT, kushdo që është i nevojshëm për të parë se ku mund të kemi sfida për ditën e zgjedhjeve. Pra, po flasim për procesin e numërimit pas orës 19:00, por që ka të bëjë edhe me funksionalitetin e kamerave në çdo vendvotim“, tha ai.

Edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Sami Hamiti, ngriti shqetësimin për ngarkesat e mëdha në fund të vitit dhe problemet infrastrukturore në disa rajone.

“Do të vijë fundi i vitit dhe ngarkesat do të jenë shumë të mëdha. Ne me Besnikun e kemi biseduar, janë dy regjione në Kosovë që kanë infrastrukturë me transmision, janë Gjilani dhe Malisheva, janë regjione që kanë shumë probleme. Drejtor, a keni ndërmarrë diçka që në ato pozicione të ketë alternativa?”, tha ai.

Ndërkaq, Besnik Buzhala, Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, sqaroi se tashmë ka pasur komunikim me KEDS-in dhe se janë identifikuar mangësi në pajisjen e vendvotimeve me gjeneratorë.

“Para 10 ditësh kemi pasur një takim me KEDS në këtë sallë. Ajo çka i ka interesuar KEDS ka qenë çështja e gjeneratorëve që janë në qendra të votimit. Këto të dhëna i kemi marrë prej krejt Komisioneve Komunale Zgjedhore dhe ka prej qendrave të votimit që nuk kanë fare gjenerator, ka edhe qendra të votimit që kanë gjenerator ose gjeneratori është i lidhur vetëm për ngrohje. Bazuar në zgjedhjet e kaluara, KEDS në zonat me problematikë i ka ofruar vetë llampat në vendvotim. Kësaj radhe kanë dashur të dinë se si është puna me gjeneratorë. Është e vërtetë që zona më e rrezikuar është Malisheva. KEDS ka informata edhe për numrin e gjeneratorëve edhe informata se sa prej atyre gjeneratorëve janë të disponueshëm për ndriçim. Në ditët në vijim do të komunikojmë me ta dhe do ta shohim mundësinë se cilat janë opsionet e tyre”, tha ai.

Komento: