Murati pas varrosjes së Jahja Mustafës: Dhimbja është edhe më e madhe që Cali nuk është këtu për shkak të padrejtësisë së Hagës

16:56 | 26 Dhjetor 2025
Murati pas varrosjes së Jahja Mustafës: Dhimbja është edhe më e madhe që Cali nuk është këtu për shkak të padrejtësisë së Hagës

Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka shkruar se dhimbja është trefish më e madhe që Salih Mustafa nuk ishte në Kosovë për ta varrosur babain e tij.

Murati ka thënë se dhimbja po bëhet më e madhe për shkak të padrejtësisë që po i bëhet atij nga Gjykata Speciale.

Postimi i plotë:

Sot në varrezat e Rimanishtës u varros me nderime ushtarake dhe pjesëmarrje të lartë qytetare Jahja Mustafa, babai i Sali Mustafës-Calit. Në emër të familjes dhe shokëve pata nderin të mbaj fjalimin përshëndetës.

“Jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit një njeriu të dashur, një familjari të mirë, babai të mirë, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij duke qenë që gjithë familjen, në krye me Calin tonë të dashur, e ka pasur të angazhuar në veprimtarinë patriotike, natyrisht që ka qenë edhe vet i përfshirë dhe shtëpia e tij ka qenë një prej bazave më të rëndësishme në Prishtinë.

Kur ne humbim një njeri të dashur, humbim diçka edhe nga vetja jonë. Ne varrosim edhe nga vetja jonë një pjesë tonën.

Natyrisht, dhimbja është e madhe, por dhimbja sot është e trefishtë. Është e trefishtë sepse po humbim bacën Jah, po e humbim një njeri të dashur, që ka dhënë kontribut dhe ka qenë shtëpi e madhe e lirisë së Kosovës. Por po e humbim edhe, po ndjejmë dhimbje sepse nuk e kemi Calin këtu. Është një dhimbje e madhe, nuk kemi djalin e tij, shokun tonë të dashur, një nga njerëzit më kontribues për lirinë që kemi sot. Por kemi dhe një dhimbje tjetër sepse ai nuk është këtu për shkak të një padrejtësie të madhe që po na shkaktohet. Është kjo padrejtësi e cila e bën dhimbjen edhe më të madhe. Cali nuk është këtu sepse është i dënuar në mënyrë të padrejtë, fatkeqësisht nga një gjykatë e padrejtë e cila flet në emrin tonë, por nuk vepron në emrin tonë. Ai nuk është këtu edhe përkundër që është dënuar, është dënuar në mënyrë të padrejtë. Por me asnjë rregull, me asnjë parim ndërkombëtar nuk do të duhej t’i ndalohej që të vinte dhe ta shihte babanë e tij në shtratin e vdekjes, dhe po ashtu ai nuk do të duhej të ndalohej që të ishte këtu edhe në këtë ditë të fundit dhe të ndahej me babain e tij me dinjitet.

Në emër të familjes dhe shokëve ju falënderoj për pjesëmarrjen. E bacit Jahë lavdi i qoftë!”

Komento: