
Një automjet i tipit Audi Q8, me targa vendore, është ndaluar nga Policia e Kosovës mbrëmjen e së premtes në Shtërpcë, pasi fillimisht nuk ishte ndalur për kontroll policor.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Rajonale të Ferizajt, rreth orës 21:30, në fshatin Drajkoc, patrulla policore i ka dhënë shenjë ndalimi automjetit, por shoferi ka vazhduar lëvizjen. Pas asistimit nga një patrullë tjetër, automjeti është ndaluar në qendër të Shtërpcës.
Gjatë kontrollit të automjetit dhe personave, në bagazhin e veturës janë gjetur dhe sekuestruar 10 cigare të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 10.52 gramë.
Në automjet ndodheshin katër persona, ndërsa njëri prej tyre, një 18-vjeçar, i cili ka pranuar se substanca narkotike i përkiste atij.
Lidhur me rastin është njoftuar Njësia Anti-Drogë si dhe prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës sipas detyrës zyrtare.
“Pas procedurave të nevojshme, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa tre personat tjerë janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve.
Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive të paligjshme, veçanërisht atyre që lidhen me narkotikët dhe apelon tek qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë, duke raportuar çdo informacion të dyshimtë në numrin kujdestar 192 dhe në platformën digjitale “Lajmëro policinë”.