
Pas votimit në zgjedhjet parlamentare, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se dita e sotme përfaqëson momentin më të rëndësishëm të funksionimit demokratik në vend, duke theksuar rëndësinë e një procesi zgjedhor të qetë, pa incidente dhe të organizuar në mënyrë korrekte.
Konjufca u shpreh se qytetarët e Kosovës, përmes votës së lirë, po dëshmojnë pjekurinë demokratike të shoqërisë, duke uruar që zgjedhjet të zhvillohen pa probleme dhe në frymë paqësore.
“Sot është dita më e rëndësishme e demokracisë sepse populli i Kosovës voton. Unë uroj që këto zgjedhje parlamentare të shkojnë pa asnjë problem. Të jenë të organizuara në mënyrën më të mirë të mundshme, pa ndonjë eksces, në mënyrë paqësore e të qetë. Vetëm kështu e tregojmë pjekurinë tonë edhe si popull edhe si shoqëri. Uroj që të fitojë më i miri, ai që ka qëndruar më së afërti me interesat e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Duke iu referuar zhvillimit institucional të vendit ndër vite, Konjufca theksoi se Kosova tashmë ka mbi dy dekada që po e dëshmon pjekurinë e saj në ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë.
“Tashmë po bëhen më shumë se dy dekada që Kosova po e tregon pjekurinë e vet në ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë. Dëshiroj që gjithçka sot të shkojë mirë dhe i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, tha ai./Ekonomia Online/