
Zëvëndësavokatja e Popullit Majlinda Sinani-Lulaj, ka thënë se nga raportimet që kanë marrë nga kolegët në terren, ankesa ka pasur kryesisht për vështirësi në votimin me asistencë.
Sipas saj, përveç personave me aftësi të kufizuara, që për t’iu lejuar që dikush t’i asistojë në procesin e votimit duhet të kenë një dëshmi nga institucionet aftësinë e kufizuar, as personave që nuk dinë shkrim-lexim nuk u është lejuar të votojnë me asistencë.
“Ekziston edhe një farë konfuzioni edhe te vetë votuesit, në kuptimin asaj që tek pasi shkojnë edhe marrin një përgjigje nga zyrtarët që janë përgjegjës se nuk mund të votojnë pa një dëshmi për aftësinë e kufizuar të personat me aftësi të kufizuara, nuk janë rehat me këtë lloj përgjigje, por gjithashtu kemi edhe rastet kur kemi personat të cilët nuk janë të aftë të shkruajnë dhe të lexojnë dhe kanë problem me procesin e votimit, për të cilët nuk ka një sqarim, ose të paktën nuk jemi në dijeni që ka një sqarim të detajuar se si duhet vepruar me ta”, ka thënë Sinani-Lulaj në emisionin Zgjedhjet në KOHË.
Sinani-Lulaj ka thënë se edhe as personave të moshuar që kanë nevojë për asistencë nuk po u lejohet asistenca ose po kanë vështirësi për të votuar.
Për këtë të dielën ka folur kryesuesi i Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Kreshnik Radoniqi.
“Për personat që nuk dinë shkrim dhe lexim nuk ka rregulla, ligji këtë kategori në 2023 e ka larguar si kategori për të votuar me asistencë. Sa i përket KQZ-së kemi një procedurë standarde edhe për këta persona, këtyre nuk iu mohohet e drejta e votimit, por këtyre personave asistimi nuk mund të bëhet prapa kutisë së votimit, asistimi i tyre bëhet vetëm deri tek kutia e votimit. Por mund të komunikojnë me këdo për të votuar, por votën duhet ta vendosin vetë”, ka thënë ai.