Mungesa e rrymës në disa qendra të votimit, Radoniqi: Nuk do të ndërpritet procesi i votimit, por nuk do të votohet në terr

16:26 | 28 Dhjetor 2025
Mungesa e rrymës në disa qendra të votimit, Radoniqi: Nuk do të ndërpritet procesi i votimit, por nuk do të votohet në terr

Problemi me mungesë të energjisë elektrike ka ndodhur edhe në qendra të votimit si në Skenderaj, në Malishevë dhe në Novobërdë.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se ekipet e KEDS po intervenojnë shpejtë, duke shpresuar se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë pasi të bie terri.

“Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ janë raportuar disa probleme të tjera me mungesë të energjisë elektrike, në Skenderaj, dy në Malishevë dhe dy qendra tjera në Novobërdë dhe Obiliq. Për të gjitha këto raste është njoftuar KEDS për hapat e nevojshme për rikthimin e energjisë elektrike, kjo ka ndodh brenda një kohe shumë të shpejtë…ne po shpresojmë që nuk do të kemi ndërprerje të energjisë elektrike prej orëve që fillon të bie terri. Integritetin e zgjedhjeve jo domosdoshmërish mund ta cenoj energjia elektrike por do të shohim”, tha ai në mbledhjen e tretë të konferencës për media.

Radoniqi ka theksuar se në  terr nuk do të lihet të votohet, por që procesi i votimit nuk do të ndërpritet.

“Procesi i votimit nuk do të ndërprite, procesi i votimit sipas ligjit ka 12 orë. Ne do të sigurohemi që nuk do t’i lënë në terr të votohet por procesi i votimit nuk mund të ndërpritet”, tha ai, teksa kërkoi nga qytetarët që të kursejnë energjinë.

Komento: