
Rreth 100 prokurorë dhe personel të sistemit prokurorial kanë punuar dhe ende janë duke punuar me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, tha Zyra e Prokurorit të Shtetit pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Gjatë ditës së sotme, Prokurori i Shtetit tha se ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm pesë prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit.
Rasti i parë është iniciuar në fshatin Ranillug –Gjian, për veprën penale nga neni 210 i Kodit Penal të Kosovës: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i dytë është iniciuar në Zhegër – Gjilan, për veprat penale nga nenet 214 dhe 215 të Kodit Penal të Kosovës “Pengim i procesit të votimit” dhe “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i tretë është iniciuar në Prizren, për veprën penale nga neni: 217 “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i katërt është iniciuar në Drenas, për veprën penale nga neni: 215 “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, rasti i pestë është iniciuar në Suharekë, për veprën penale nga neni: 215 “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
“Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit. Me këtë rast Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje”, u tha në komunikatë.