
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza tha se kanë pritur rezultat më të mirë nga zgjedhjet e djeshme.
Ai ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për fitoren, teksa theksoi se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme që të analizohet rezultati i zgjedhjeve.
Kreu i PDK-së në konferencë për media tha se “nuk do të fshihem pas përgjegjësive dhe vendimet do të merren në kohë”.
“E uroj fituesin, Lëvizjen Vetëvendosje dhe zotëri Kurtin për fitore. PDK ka pritur rezultat më të mirë, unë kam pritur rezultat më të mirë. I nevojitet tjetër rezultat PDK-së, por PDK ka arritur të ruaj votën e vet, me ruajt elektoratin e vet. Pozita i ka edhe përgjegjësitë e veta, kur je në pozitë ki edhe përgjegjësi. Sigurisht që unë nuk jam prej atyre që iku dhe fshehëm pas përgjegjësive. Këto ditë do t’i kemi me strukturat e PDK-së, vendimet i marrë në kohë, të analizuara, të peshuara mirë dhe sigurisht nuk vonohem në vendimmarrje. Pres që shpejt të konstituohen institucionet, vendi të ketë institucione, që të mos kemi vakuum institucional, vazhdon puna sepse mjaftueshëm kemi pasur bllokada edhe mungesa dhe secili ta kryen punën e vet. Edhe partitë që kanë fituar por edhe ne që mund të jemi në opozitë të japim kontributin tonë brenda përgjegjësive tona”, deklaroi ai.
Hamza tha se PDK do të jap kontributin e vet në gjithçka çka është në interes të Kosovës, teksa u pyet se a do të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidentit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Gjithçka çka është në interes edhe në dobi të Kosovës, PDK e jep kontributin e vet. Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare edhe në të kaluarën kemi votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Gjitha ato që janë në dobi dhe në interes të Kosovës. Sa i përket çështjes së presidentit, unë kam thënë që është proces i ndarë. Unë pres fillimisht që të konstituohet Kuvendi, të formohet qeveria, të vazhdohet puna dhe kur vjen koha e presidentit besoj që ka mundësi me u gjet formulë qysh me u zgjedh presidenti dhe të mos bllokohet vendi”, shtoi ai.
Ditën e djeshme ai e ka konsideruar si proces zgjedhor demokratik.
“PDK shpejt do të futet në proces të brendshëm zgjedhor, nuk ka pasur që një kohë të gjatë zgjedhje prej vitit 2019. Dhe do të fillon prej bazës, prej nëndegëve duke i përfshirë të gjitha nivelet deri në zgjedhjen e gjitha organeve të partisë, sepse realisht është një kohë e gjatë dhe kanë nevojë që të kemi një reformë edhe të moshës edhe të gjinive edhe të profesioneve dhe gjithçka tjetër. Prandaj nëse i referoheni 10 ditëshit, mendoj që fushata e PDK-së ka qenë shumë aktive, edhe në terren edhe në rrjetet sociale edhe në televizione kemi bërë përpjekjen maksimale që ne të shpjegojmë programin tonë”, përfundoi ai.
Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49.30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.57 për qind, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.68 për qind të votave. /KP