KESCO siguron furnizim me energji elektrike edhe gjatë festave të fundvitit, por apelon për kursim

13:26 | 31 Dhjetor 2025
KESCO siguron furnizim me energji elektrike edhe gjatë festave të fundvitit, por apelon për kursim

KESCO njofton opinionin publik se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizim me energji elektrike për konsumatorët edhe gjatë festave të fundvitit dhe natës së ndërrimit të motmoteve, në përputhje me kushtet aktuale të sistemit elektroenergjetik dhe nivelin e konsumit.

Duke marrë parasysh rritjen e konsumit gjatë kësaj periudhe, KESCO, si furnizues, është në kontakt dhe koordinim të vazhdueshëm me operatorët teknikë, përkatësisht me operatorin e distribucionit dhe atë të transmisionit, me qëllim të menaxhimit në kohë të çdo situate të mundshme dhe adresimit të mbingarkesave eventuale në rrjet, veçanërisht gjatë orëve të pikut sonte gjatë ndërrimit të motmoteve.

Në të njëjtën kohë, për të qenë pranë konsumatorëve edhe gjatë natës së sotme, KESCO ka rritur kapacitetet e Qendrës së Thirrjeve, duke angazhuar staf shtesë për të ofruar përgjigje të shpejta dhe informim në kohë për çdo situatë të mundshme që lidhet me furnizimin me energji elektrike.

U bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kursejnë energjinë elektrike aty ku është e mundur, sidomos gjatë orëve të pikut. Shfrytëzimi racional i energjisë elektrike kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit dhe në furnizimin e sigurt për të gjithë konsumatorët.

KESCO falënderon konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke apeluar që energjia elektrike të përdoret me përgjegjësi dhe në mënyrë racionale gjatë kësaj periudhe me konsum të shtuar.

Komento: