Osmani e pikëlluar për vdekjen e Dacit: Ishte një personalitet i rrallë

12:56 | 01 Janar 2026

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur e pikëlluar për vdekjen e ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci, të cilin e quajti personalitet të rrallë.

Ajo tha se Daci, me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryeparlamentarit të Republikës së Kosovës, akademikut dhe profesorit të nderuar, Nexhat Daci. Akademik Daci ishte një personalitet i rrallë, i cili bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit”.

“Në vitet më të rënda për popullin e Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të nëntëdhjeta, Akademik Nexhat Daci u angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës. Kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë institucionale dhe intelektuale”, shkroi Osmani.

Komento: