
Kuvendi i Kosovës është mbledhur për akademi përkujtimore për ish-kryeparlamentarin Nexhat Daci.
Kush ishte Nexhat Daci?
Akademik Daci lindi në vitin 1944 në Tërnoc. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Leskoc (1956–1960). Studimet universitare në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore – Dega e Kimisë në Beograd (1962–1966) i përfundoi me sukses të lartë, duke u diplomuar në qershor 1966. Studimet pasuniversitare i vijoi në të njëjtin fakultet (1966–1968), për të vazhduar më tej me specializim në Liège të Belgjikës (1970). Gradën e doktorit të shkencave e mori në Universitetin e Zagrebit (1973), ndërsa studimet postdoktorale i realizoi në Universitetin e Bradfordit – Angli (1974).
Karrierën akademike e nisi në vitin 1968 në Katedrën e Kimisë të Fakultetit Filozofik dhe u avancua në të gjitha titujt akademikë: ligjërues (1971), profesor inordinar (1974) dhe profesor ordinar (1984). Mori pjesë në dhjetëra konferenca e projekte shkencore brenda e jashtë vendit, duke përfaqësuar Kosovën në simpoziume ndërkombëtare në SHBA, Angli, Gjermani, Itali, Turqi, Hungari, Slloveni, Kroaci, Serbi, Shqipëri dhe Kosovë.
Akademik Daci ishte autor i dhjetëra librave universitarë dhe i qindra punimeve shkencore të botuara në revista vendore dhe ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kimisë, arsimit të lartë dhe kulturës shkencore në Kosovë.
Ai ishte anëtar i Shoqatës Kimike Amerikane (1985), i Akademisë Evropiane për Çështjet e Mjedisit (1987), si dhe anëtar korrespondent (1993) dhe anëtar i rregullt (1996) i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në vitin 2014 u pranua si anëtar i Akademisë Europiane së Shkencave dhe Arteve.
Në karrierën institucionale mbajti funksione të rëndësishme: Shef i Degës së Kimisë (1971–1973); Sekretar i Përgjithshëm i ASHAK-ut (1994–1999); Kryetar i ASHAK-ut (1999–2002 dhe 2018–2019). Në jetën publike ishte deputet i Kuvendit të Kosovës (2001–2011) dhe Kryetar i Parlamentit të Kosovës në dy mandate (2000–2004 dhe 2004–2006).