Arrestohen dy të dyshuarit për dhunimin e një vajze në Fushë Kosovë

16:56 | 02 Janar 2026
Arrestohen dy të dyshuarit për dhunimin e një vajze në Fushë Kosovë

Një rast tejet i rëndë dhunimi, i raportuar më 31 dhjetor 2025 në Fushë Kosovë, ka marrë epilog të shpejtë hetimor. Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje direkte në këtë krim të rëndë, ku viktima dyshohet se është dhunuar në një motel dhe më pas është braktisur në një zonë malore.

Sipas informacioneve zyrtare, rasti ka ndodhur rreth orës 05:30 në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë. Viktima, A.H., rreth 30-vjeçare, ka raportuar se fillimisht ishte takuar me të dyshuarit, për t’u dërguar më pas në një motel, ku dyshohet se është dhunuar seksualisht nga ta.

Pas kryerjes së veprës penale, të dyshuarit dyshohet se e kanë dërguar viktimën në një zonë afër malit dhe e kanë lënë aty, duke u larguar në drejtim të panjohur.

Pas denoncimit të rastit, Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë ka ndërmarrë veprime intensive hetimore. Si rezultat, më 1 janar 2026, në pikën kufitare Mutivodë është ndaluar njëri nga të dyshuarit, L.S., rreth 40-vjeçar, i cili ishte në kërkim policor. Ndërkohë, është siguruar edhe prezenca e të dyshuarit tjetër, L.G., rreth 39-vjeçar, i cili gjithashtu dyshohet për përfshirje direkte në rast.

Me vendim të Prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë në drejtim të ndriçimit të plotë të rrethanave dhe përgjegjësive penale.

Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se ndaj të dyshuarve priten veprime të tjera procedurale, përfshirë kërkesën për masë paraburgimi. Rasti po trajtohet me prioritet të lartë nga organet e drejtësisë./Sinjali

Komento: