
Mazraoui transferohet në Serie A.
Juventus po përgatit një lëvizje konkrete në merkato për Noussair Mazraoui, teksa klubi torinez synon të përfitojë nga paqartësia që mbizotëron aktualisht te Manchester United.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat angleze, drejtuesit bardhezinj kanë identifikuar mbrojtësin maroken si një përforcim ideal për krahun e djathtë të mbrojtjes.
26-vjeçari, i cili ka përvojë të rëndësishme në nivele të larta evropiane, nuk po konsiderohet më i paprekshëm në “Old Trafford”, çka ka hapur derën për interesin e klubeve të tjera.
Burime pranë merkatos bëjnë të ditur se Juventus po shqyrton mundësinë e një huazimi me opsion blerjeje, formulë që i përshtatet strategjisë financiare të klubit dhe njëkohësisht i jep kohë lojtarit për t’u përshtatur me Serie A. Kontakti fillestar thuhet se është vendosur, ndërsa zhvillimet priten në javët në vijim.
Situata e trazuar te Manchester United, me ndryshime të vazhdueshme në pankinë dhe konkurrencë të fortë në repartin defensiv, e ka shtyrë Mazraouin të mendojë seriozisht për një aventurë të re.
Juventus, nga ana tjetër, kërkon stabilitet dhe përvojë në mbrojtje, veçanërisht për fazën vendimtare të sezonit.
Nëse negociatat avancojnë pozitivisht, transferimi i Mazraouit mund të shndërrohet në një nga goditjet më interesante të merkatos, duke i dhënë “Zonjës së Vjetër” më shumë fleksibilitet taktik dhe cilësi në krahët e mbrojtjes.