
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në akademinë solemne në shënim të 30-vjetorit të vdekjes së Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorit të vdekjes së Imzot Mark Sopit, që u mbajt në qendrën Bogdanipolis pranë katedrales në Prishtinë.
Kurti tha se Imzot Prela dhe Imzot Sopi, përveçse udhëheqës fetarë, ishin bartës të një etike të lartë publike, përfaqësues të një morali të rrallë qytetar dhe dëshmitarë të një kohe kur e drejta, liria dhe dinjiteti njerëzor nuk ishin fare të garantuara.
“Në vitet kur Kosova përjetonte një nga periudhat më të errëta të ekzistencës së saj moderne, kur sistemi shtypës i Serbisë synonte jo vetëm nënshtrimin politik, por edhe shkatërrimin e dinjitetit njerëzor dhe të identitetit kombëtar, këta dy barinj shpirtërash e dinin mirë se misioni i tyre nuk mund të kufizohej vetëm në shërbesën liturgjike. Ata e kuptuan qartë se rrethanat historike kërkonin më shumë: kërkonin përgjegjësi morale, guxim qytetar dhe bartjen e barrës së arsyes në një kohë kur dhuna po përpiqej të imponohej si normë”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri theksoi se ata dy u shndërruan në ura midis shpirtërores dhe qytetares, midis besimit fetar dhe përgjegjësisë shtetërore, midis Kosovës së vuajtur dhe botës demokratike.
“Sot, Republika e pavarur e Kosovës ekziston si shtet i lirë dhe sovran. Por, të nderuar të pranishëm, kjo liri nuk është vetëm rezultat i proceseve politike, diplomatike dhe ndërkombëtare. Ajo është edhe fryt i qëndresës morale të atyre që, në kohërat më të vështira, më të rrezikshme, refuzuan ta pranojnë padrejtësinë si normalitet. Në këtë kuptim, Imzot Nikë Prela dhe Imzot Mark Sopi janë pjesë e themeleve të vlerave morale mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë që kemi dhe liria që gëzojmë”, tha ai.