
Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen menjëherë nga Venezuela mes raporteve se paraushtarakë të armatosur po përpiqen ‘të gjurmojnë’ qytetarët amerikanë, një javë pas kapjes së presidentit të vendit të Amerikës së Jugut, Nicolás Maduro.
Në një alarm sigurie të dërguar të shtunën, Departamenti i Shtetit tha se kishte raportime për anëtarë të armatosur të milicive pro-regjimit, të njohura si “colectivos”, të cilët kishin ngritur postblloqe dhe kishin kontrolluar automjete për prova se personat që udhëtonin ishin qytetarë amerikanë ose mbështetës të këtij vendi.
“Qytetarët amerikanë në Venezuelë duhet të mbeten vigjilentë dhe të tregojnë kujdes kur udhëtojnë me makinë”, shtoi alarmi, duke i nxitur qytetarët të largohen menjëherë tani që disa fluturime ndërkombëtare nga Venezuela kanë rinisur, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Duke folur për New York Times javën e kaluar, Donald Trump tha se do të donte të vizitonte Venezuelën në të ardhmen pasi pretendoi se SHBA-të po “drejtonin” vendin e Amerikës së Jugut pasi rrëzuan udhëheqësit e tij me një sulm vdekjeprurës natën në Karakas.
“Mendoj se në një moment do të jetë e sigurt”, u tha presidenti amerikan, gazetarëve.
Por alarmi i Departamentit të Shtetit zbuloi se sa e paqëndrueshme mbetet situata pas bastisjes së forcave speciale të fundjavës së kaluar, gjatë së cilës u vranë dhjetëra njerëz.
Ndërsa shumë kundërshtarë venezuelianë të regjimit të Maduros kanë festuar kapjen e tij nga SHBA-të, mbështetësit e qeverisë kanë dalë në rrugë për të denoncuar dorëzimin e tij si një akt imperialist agresioni.
Në anën tjetër, duke iu përgjigjur alarmit të sigurisë, ministria e jashtme venezueliane tha në një deklaratë se paralajmërimi i departamentit të shtetit ishte “bazuar në rrëfime të fabrikuara që synojnë krijimin e një perceptimi të rrezikut që nuk ekziston”.
Sidoqoftë, vë në pah The Guardian, gazetarët dhe aktivistët në Karakas kanë parë anëtarë të “colectivos” me pushkë që enden në kryeqytetin e Venezuelës me motoçikleta dhe krijojnë pika kontrolli rreth qytetit.
Rrugët që lidhin Karakasin me kufirin e saj perëndimor janë të mbikëqyrura nga dhjetëra pika kontrolli ushtarake dhe policore.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit bënë një vizitë në Karakas të premten, si pjesë e asaj që besohet të jetë përgatitje për rihapjen e ambasadës amerikane atje. Pasardhësja e Maduros, presidentja në detyrë Delcy Rodríguez, ka bërë thirrje për përmirësimin e marrëdhënieve me Uashingtonin pavarësisht rrëmbimit të aleatit të saj. /Telegrafi/