Agim Veliu kërkon dorëheqje dhe zgjedhje në parti: Humbjet e rënda s’mund të kalohen me heshtje, LDK-së i duhen fitues

12:26 | 11 Janar 2026
Agim Veliu kërkon dorëheqje dhe zgjedhje në parti: Humbjet e rënda s’mund të kalohen me heshtje, LDK-së i duhen fitues

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtari i kësaj partie, Agim Veliu thotë se rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit ishte humbje që “nuk mund të relativizohet, as të kalohet në heshtje”, ndërsa kërkon dorëheqje. Ai tha se sinjali është “i qartë”.

“Të dashur anëtarë, simpatizantë dhe qytetarë, Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për Lidhjen Demokratike të Kosovës është një sinjal i qartë që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet. Ky është një mesazh nga qytetarët dhe mesazhe të tilla kërkojnë reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike. Si kontribues i LDK-së, ndjej obligim moral dhe politik të them se humbjet e rënda nuk mund të relativizohen, as të kalohen me heshtje”, shkroi ai.

Veliu shkroi se “në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike”.

“Prandaj: dera është e hapur! LDK, sot nuk ka nevojë për justifikime (në studio televizive), por për: • analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes, • hapje të brendshme dhe demokraci funksionale, • dhe për një proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet që i jep shpresë anëtarësisë dhe elektoratit”, shkroi ai.

Veliu tha se “vetëm duke hapur rrugë për ndryshim mund ta rikthejmë besimin e humbur dhe të përgatitemi për sfidat e ardhshme”.

“Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje asaj që nuk mbrohet, jo mbajtje të status quo-së. LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidat të përhershëm! Zoti e bekoftë LDK-në”.

Komento: