
Irani po përjeton një nga momentet më të përgjakshme të viteve të fundit, ndërsa protestat kundër regjimit janë përballur me një shtypje brutale nga forcat e sigurisë. Pamje dhe video të nxjerra kontrabandë nga vendi tregojnë morgjet e Teheranit të mbushura përtej kapaciteteve, me trupa që transportohen me kamionë dhe vendosen në rreshta në qese të zeza, pasi nuk ka më hapësirë të lirë.
Familjarëve u kërkohet të identifikojnë të afërmit mes trupave, ndërsa skena të ngjashme raportohen nga spitale dhe qytete të tjera të vendit. Disa nga çantat mortore janë të hapura, duke zbuluar fytyra të përgjakura dhe rroba të grisura. Sipas organizatave joqeveritare, të paktën 538 persona janë vrarë, por burime nga brenda Iranit flasin për mijëra viktima. Fondacioni i fitueses së Çmimit Nobel, Narges Mohammadi, raporton mbi 2,000 të vrarë dhe rreth 11,000 të arrestuar gjatë pesëmbëdhjetë ditëve të protestave.
Interneti dhe telefonat janë ndërprerë, por protestuesit po përdorin lidhje satelitore për të dërguar informacione jashtë vendit. Ata raportojnë se Garda Revolucionare po qëllon drejt turmave, shpesh duke synuar kokën. Mjekë nga spitalet kanë bërë thirrje publike duke thënë se nuk po arrijnë të trajtojnë të gjithë të plagosurit dhe se mungojnë kirurgë dhe infermierë. Nga Shirazi dhe qytete të tjera vijnë raportime se familjet e viktimave po detyrohen të heshtin për të marrë trupat e të afërmve dhe se, në disa raste, u kërkohen mijëra dollarë për t’i tërhequr.
Raporte për vdekje të shumta vijnë nga Rasht, Lordegan dhe qytete të tjera më të vogla, ku qytete të tëra janë në zi. Një protestuese e quajtur Samira, e cila arriti të dërgojë mesazhe jashtë vendit, deklaroi se forca të infiltruar po drejtojnë turmat drejt pritave të regjimit.
“Po na qëllojnë nga çatitë. Nëse më ndodh diçka, thoni se isha në rrugë për liri”, ka shkruar ajo.
Ndërkohë, kriza po ndiqet nga afër edhe nga Shtetet e Bashkuara. Sipas mediave ndërkombëtare, Presidenti Donald Trump po shqyrton disa opsione për Iranin, përfshirë veprime ushtarake, sulme kibernetike dhe sanksione. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, ka paralajmëruar se në rast sulmi ndaj Iranit, Izraeli dhe bazat ushtarake amerikane në rajon do të jenë objektiva legjitime.
Autoritetet iraniane kanë shpallur tri ditë zie kombëtare për viktimat e asaj që e quajnë “beteja e rezistencës”, ndërsa presidenti Masoud Pezeshkian ka bërë thirrje për një marshim. Sipas raportimeve zyrtare, 48 anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë gjatë dy javëve të fundit. Mes viktimave të identifikuara është aktori dhe producenti i teatrit Ahmad Abbasi, i cili u qëllua në ballë gjatë një proteste paqësore në Teheran, si dhe Robina Aminian, një studente 24-vjeçare kurde nga Universiteti i Teheranit, e cila u vra me një plumb në kokë nga afër. Autoritetet kanë refuzuar t’ia dorëzojnë trupin familjes së saj.