Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti shpreh shqetësim për vjedhjet në shkollat e Vitisë: Brenda një jave tri raste

15:26 | 12 Janar 2026
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti shpreh shqetësim për vjedhjet në shkollat e Vitisë: Brenda një jave tri raste

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka reaguar lidhur me rastet e fundit të thyerjeve dhe vjedhjeve në institucionet arsimore të kësaj komune, duke shprehur shqetësim të thellë për situatën e krijuar. Sipas tij, vetëm gjatë një jave janë shënuar tri raste të tilla në tri shkolla të ndryshme. 

“Shpreh shqetësimin tim të thellë lidhur me rastet e fundit të thyerjeve dhe vjedhjeve në institucionet arsimore të komunës sonë. Vetëm brenda një jave janë shënuar tri raste të tilla në tri shkolla të ndryshme”, ka deklaruar Haliti.

Ai ka bërë thirrje që organet kompetente të angazhohen për zbardhjen e plotë të rasteve dhe ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët.

“Ftoj organet kompetente që të punojnë në zbardhjen e plotë të rasteve dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë informacione lidhur me këto raste të njoftojnë organet kompetente, me qëllim që përgjegjësit të dalin para organeve të drejtësisë”, ka theksuar kryetari i Vitisë.

Haliti ka njoftuar se Komuna e Vitisë pritet që së shpejti të bëjë evidentimin e plotë të dëmeve të shkaktuara, ndërsa do të ndërmerren masat e nevojshme për sanimin dhe kompensimin e tyre. “Qëllimi ynë është që procesi mësimor të vazhdojë në mënyrë të rregullt dhe pa pengesa”, ka shtuar ai.

Në fund, kryetari Haliti u ka bërë thirrje qytetarëve për përgjegjësi në mbrojtjen e pronës publike, veçanërisht të shkollave.

“Shkollat janë pasuri e përbashkët dhe themel i së ardhmes së fëmijëve tanë. Çdo veprim që i dëmton ato, dëmton drejtpërdrejt komunitetin tonë”, ka deklaruar Haliti, duke theksuar se Komuna e Vitisë dhe Drejtoria e Arsimit mbesin të përkushtuara për garantimin e sigurisë dhe kushteve të përshtatshme për nxënësit dhe stafin arsimor, në bashkëpunim me institucionet kompetente. /Telegrafi/

Komento: