Në Lipjan shpërndahen ndihma për familjet e goditura nga vërshimet

08:56 | 13 Janar 2026
Në Lipjan shpërndahen ndihma për familjet e goditura nga vërshimet

Në kuadër të përballjes me situatën e krijuar nga vërshimet e fundit, Komuna e Lipjanit ka intensifikuar bashkëpunimin me institucione dhe kompani të ndryshme me qëllim të tejkalimit të vështirësive dhe ofrimit të ndihmës për qytetarët e prekur.

Në bashkëpunim me shoqatën zvicerane “Barakah” Charity, gjatë ditës së sotme është realizuar shpërndarja e pakove ushqimore dhe e ujit të pijshëm për disa familje që janë prekur nga vërshimet.

Nga Komuna e Lipjanit është shprehur mirënjohje e veçantë për të gjitha kompanitë dhe individët lipjanas që kanë ofruar bashkëpunim dhe mbështetje, duke kontribuar në lehtësimin e situatës për familjet e prekura.

Po ashtu, falënderime janë adresuar për Stacionin Policor në Lipjan, Njësinë e Zjarrfikësve, Kompaninë e Ujësjellësit, KBI Lipjan, Dino Company, Rexha Com, Xhema Company, Beni Construction, 7 Vëllezërit, Jetimat e Ballkanit, Nuno Queirós – UNDP, familjen Tasholli, mediat – në veçanti ato lokale – si dhe qytetarët e shumtë që kanë dalë vullnetarisht në mbështetje të familjeve dhe fshatrave të prekura.

Komuna e Lipjanit ka bërë të ditur se do të vazhdojë të qëndrojë pranë qytetarëve të saj, duke koordinuar ndihmën institucionale dhe humanitare në përputhje me nevojat në terren.

Komento: