Icardi humb dy herë penalltinë – por gjesti i tij pas kësaj ishte plotë klas

09:33 | 14 Janar 2026

Galatasaray ka siguruar kualifikimin në Kupën e Turqisë, duke mposhtur Fethiyesporin me rezultat 2-1, në një ndeshje ku vëmendja u përqendrua te një moment i pazakontë me Mauro Icardin.

Në minutën e 35-të, gjiganti nga Stambolli fitoi një penallti, ndërsa përgjegjësinë për ta ekzekutuar e mori Icardi. Sulmuesi argjentinas u ndal nga portieri i Fethiyesporit, Arda Akbulut, i cili bëri një pritje të shkëlqyer.

Pas rishikimit me VAR, gjyqtari vendosi që penalltia të përsëritej, por edhe në tentativën e dytë rezultati ishte i njëjtë – Akbulut sërish doli fitues në duel me Icardin.

Veprimi i Icardit pas penalltisë së dytë u vlerësua gjerësisht, pasi ai i zgjati dorën dhe e përgëzoi portierin kundërshtar për pritjet vendimtare, duke treguar sportivitet të lartë.

Pavarësisht këtij momenti, Galatasaray arriti të kontrollojë ndeshjen dhe në fund ta mbyllë atë me fitore, duke vazhduar rrugëtimin në Kupën e Turqisë.

Komento: